Romë, 10 janar, NOA – Gjatë qëndrimit në Romë, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, pati një takim të veçantë me përfaqësues të shquar e të suksesshëm të komunitetit shqiptar në Itali, nga fusha të ndryshme të biznesit, kulturës, gazetarisë, artit e akademisë, midis të cilëve edhe ambasadori i kombit Kledi Kadiu, sopranoja Anila Kraja etj.
Haxhinasto u shpreh se Shqipëria është ndjerë e nderuar me përfaqësues të tillë. Por zhvillimi i sotëm i Shqipërisë e ka bërë çdo shqiptar, kudo ku jetonte të ndihet krenar për atdheun amë dhe progresin e tij.
Më tej, u shkëmbyen mendime për rritjen e përkujdesjes së shtetit shqiptar ndaj emigrantëve, veçanërisht në drejtim të ruajtjes së traditës, kulturës e gjuhës, por edhe për përmirësimin e shërbimeve konsullore, dhënien e pasaportave biometrike nga ambasadat, si dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Të pranishmit vlerësuan si të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një imazh të ri të Shqipërisë e shqiptarëve, imazh që reflekton një stad të rëndësishëm të zhvillimit të saj.
Gjatë takimit, të pranishmit morën pjesë në hapjen e ekspozitës me punime të artistit shqiptar me banim në Romë, Vladimir Nika.
n.e/NOA