Tiranë, 10 janar 2011, NOA – Pas pushimeve të fundvitit është mbledhur këtë të hënë Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare e cila ka miratuar programin e punës së Kuvendit të Shqipërisë për periudhën 17 janar-17 mars 2011. Gjatë mbledhjes së sotme të kryetarëve është miratuar edhe kalendarin trijavor i punimeve të Kuvendit.
Në njoftimin zyrtar të Kryesisë së Kuvendit bëhet e ditur se mbledhja u drejtua nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe Kryetarët e Grupeve Parlamentare, Zëvendëskryetarët e Kuvendit si dhe Kryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.
Pas diskutimeve për programin e punës së Kuvendit në fund të mbledhjes Konferenca e Kryetarëve miratoi programin dhe kalendarin e paraqitur.
Kuvendi rikthehet kështu në punë të hënën e ardhshme, në 17 janar, pas seancës më të fundit maratonë të datës 27 dhjetor, ku mazhoranca dhe opozita nuk arritën konsensusin e kërkuar për zgjidhjen e ngërçit politik dhe ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Por, ky ngërç duket se do të gjallojë edhe në sesionin e ardhshëm parlamentar, kur duhet të miratohen edhe ligje mjaft të rëndësishëm që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash në parlament.
mit/NOA