Prishtinë, 10 janar, NOA - Anëtari i lartë i kryesisë së PDK-së, Hajredin Kuçi, procesin e votimit në pesë komunat, në të cilat u përsëritën zgjedhjet parlamentare për shkak të parregullsive më 12 dhjetor e ka quajtur të rregullt dhe si referendum të besimit për një parti politike.
“Me këtë fuqizohemi si partia e parë politike në Kosovë, kurse fitorja me mbi 90 për qind në Skenderaj, por edhe në Drenas, është dëshmi e fortë se PDK-ja po legjitimohet si partia e parë politike”, ka thënë ai, për të shprehur besimin se pas kësaj edhe partitë tjera politike do t’i pranojnë rezultatet, duke rikujtuar se PDK-ja ka qenë partia e parë politike edhe pa votat e Skenderajt dhe Drenasit.
Ndërkohë, bëhet e ditur se PDK-ja ka fituar bindshëm edhe në Drenoc të Malishevës. Alush Krasniqi, menaxher i Qendrës së votimit ka bërë të ditur se pas numërimit të 1120 votave, 853 prej tyre kanë votuar për PDK-në, 101 për LDK-në, 52 për Vetëvendosjen, 32 për AAK-në, 70 vota kanë qenë të pavlefshme përderisa pjesa tjetër ka shkuar te partitë e vogla.
NOA