English

Nis sot kuizi “100 milionë”, sfida e “Milionerit”

Tiranë, 11 janar 2011 - Kundër gjithë parashikimeve, me një iniciativë pak inatçore a hakmarrëse, në televizionin Top Channel do të nisë sot në mbrëmje kuizi “100 milionë”. Ndërsa “Kush do të bëhet milioner”, show me famë botërore, që do të prezantohet nga Agron Llakaj në televizionin “Klan”, nis transmetimin, ashtu sikurse edhe ishte paralajmëruar, në datë 24 janar.

Kuizi “100 milionë”, do të prezantohet nga Adi Krasta dhe do të ketë në qendër të tij 8 pyetje, që do t’i përgjigjet konkurrenti i përzgjedhur pas një audicioni që ka nisur prej 2 javësh.

Ndryshe nga sa ishte përfolur, se me vendosjen e Krastës në këtë konkurs dijesh, ai do të largohej nga programi “E diell”, duket se nuk do të ndodhë kështu.

Prezantuesi i mirënjohur Adi Krasta ka të ngjarë t’i prezantojë në vazhdimësi të dy programet. (Ai u shfaq të dielën sërish në prezantimin e “E diell”, program që tani e tutje do të ketë si autor çiftin e artistëve Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiq).

Ndërkaq, çdo të hënë, që prej 17 janarit, në ekranin e televizionit Klan do të vijë aktori i mirënjohur i humorit Agron Llakaj.

Përveç konkurrencës së çmimit, duket se kjo do të jetë edhe një garë e fortë mes dy televizioneve kryesore në vend. Kujtojmë këtu, që ideja e emisionit “100 Milionë” nisi pikërisht pas largimit të Agron Llakajt, drejtorit artistik dhe prezantues të spektaklit të humorit “Portokalli”. Ndërkohë që kohë më parë, ky televizion ishte kundër realizimit të një kuizi, pasi oferta e mbajtësve të patentës se “Kush do të bëhet milioner” u kishte ardhur fillimisht drejtuesve të Top Channel.

Në atë kohë, as nuk mendohej që të realizohej një format i tillë, por ja që gjërat ndryshuan menjëherë pas largimit të Llakajt.

Se kush nga këta programe do të tërheqë më shumë vëmendjen e spektatorëve, këtë do ta shohim në vijim, megjithatë avantazh i Krastës është se ai e nis një javë më parë se Llakaj.

Por përveç konkursit e fitimit të trofeut 100 milionë, duket se këto dy programe do të vënë në konkurs edhe prezantuesit e tyre Agron Llakaj dhe Adi Krasta, të dy të dashur për publikun, për të veçantat e tyre.

Si luhet

Tetë pyetje, vetëm tetë qëndrojnë mes jush dhe 100 Milionë, për ti çuar ato në shtëpi.
Për çdo pyetje ju keni katër përgjigje të shfaqura në ekran dhe katër dyer ku mund të vendosni lekët. Atë që duhet të bëni është të vendosni lekët Tuaja në përgjigjën e saktë. Nëse nuk jeni të sigurtë ju mund ti ndani lekët deri në tre përgjigje, por nëse Ju gaboni në përgjigje, atëherë, lekët do te bien poshtë dhe ju do t’i humbisni përgjithmonë.
100 Milionë janë tuajat, ju vetëm duhet ti ruani ato.

KOMENTE