English

PS: Berisha në delir, me djegien e fletëve të votimit thelloi krizën

Tiranë, 10 janar 2011, NOA – “Vetëm një kryeministër në delir, pa lidhje me realitetin mund të besojë se duke djegur forcërisht fletët e votimit dhe duke u përpjekur në shkelje të plotë të ligjit të varrosë listat e zgjedhësve për 25 vjet do të arrijë të mbyllë krizën”. Kështu deklaroi sot nga selia rozë deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi duke kërcënuar se me këto veprime kryeministri po çon vendin në një përshkallëzim të krizës dhe aksionit opozitar për largimin e tij, por edhe po rëndon pozitën ligjore të tij dhe ushtarëve të tij në pushtet.

“Djegia e fletëve dhe përpjekja për të fshehur listat e votuesve janë thjesht tregues të makthit që ka Sali Berisha nga zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit dhe prova përfundimtare se zgjedhjet u vodhën”, tha deputeti socialist.

Në një konferencë të posaçme për mediat ai tha se kryeministri Sali Berisha ka humbur përfundimisht çdo lidhje me realitetin.

“Vetëm një njeri pa lidhje me realitetin si kryeministri ynë i votave të vjedhura mund të besojë se Shqipëria sot nuk është në një nga krizat më të rënda të tranzicionit të saj, të cilën e ka shkaktuar dhe e ka thelluar Sali Berisha”, nënvizoi Klosi.

Ai risolli në vëmendje deklaratat e kryeministrit, i cili përgjatë tërë vitit tha se fletët nuk do të digjen, duke siguruar madje edhe se ishte i gatshëm të ngrinte një komision hetimor dhe të hetonte listat zgjedhore.

“Për një vit rresht Sali Berisha mashtroi, prandaj sot kriza vazhdon, kriza është thelluar dhe e vetmja mundësi për të zgjidhur krizën është largimi i Sali Berishës nga pushteti që e mban me vota të vjedhura”, tha deputeti socialist, duke nëvizuar se “Sali Berisha duhet të largohet, sepse ai është kthyer sot në një kosto të papërballueshme për shqiptarët dhe për demokracinë shqiptare”.

Deputeti Klosi tha se Berisha duhet të largohet pasi ai është strumbullari i korrupsionit të shndërruar në sistem, të cilin e kryeson vetë Berisha dhe familja e tij politike e biologjike.

Sipas deputeti socialist, Sali Berisha duhet të largohet, sepse ndërkohë që ai dhe të tijtë pasurohen duke vjedhur e grabitur, qytetarët shqiptarë vuajnë varfërinë e rritjen e çmimeve, duke nisur nga çmimi i bukës, ilaçet, ushqimet, frutat, zarzavatet, mielli, vaji e duke vijuar me rritjen e çmimeve për çdo mall e shërbim të nevojshëm.

mit/NOA

KOMENTE