English

Rama: Rikualifikimi urban i sheshit “Ataturk”, model i Tiranës së nesërme

Tiranë, 10 janar 2011, NOA - Pas transformimit të sheshit Ataturk, në funksion të një qarkullimi më të mirë të mjeteve dhe lehtësimit të trafikut në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka përfunduar edhe projektin për rikualifikimin urban duke transformuar edhe zonat këmbësore e fasadat që rrethojnë sheshin “Ataturk”. Ky projekt i rikualifikimit urban të sheshit “Ataturk” është frut i një bashkëpunimi me sektorin privat. Duke folur mbi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe duke e cilësuar njëkohësisht projektin si një model që pasqyron Tiranën e së nesërmes, Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama u shpreh “ne sot i japim qytetarëve të Tiranës dhe posaçërisht këtij komuniteti që banon në këtë zonë, një hapësirë publike tërësisht të transformuar që shërben dhe do të shërbejë për këmbësorët, për familjarët, për më të moshuarit, për fëmijët por njëkohësisht që është një tjetër model që pasqyron Tiranën e së nesërmes”.

Kryebashkiaku Rama theksoi se ky transformim pasqyron qytetin e ëndrrave dhe shpresave të të gjithë atyre që jetojnë në Tiranë dhe të atyre që dëshirojnë të vijnë për të jetuar kë kryeqytet, pasi është modeli që përmbush aspiratat e shqiptarëve europian.

Ndërhyrja për rikualifikimin urban të sheshit “Ataturk” synoi rehabilitimin e fasadave të ndërtesave rreth sheshit; rritjen e elementit të gjelbër në horizontalitet dhe vertikalitet; krijimin e elementëve të komoditetit të këmbësorëve, gjatë lëvizjes së tyre tranzit brenda hapësirës së sheshit dhe shtimin e elementëve të ndriçimit publik dhe pajisjen e hapësirës me elementë të shërbimit urban.

Nëpërmjet këtij projekti rikualifikues janë transformuar në vendqëndrime urbane të katër trotuaret në perimetër të sheshit Ataturk, të cilët kishin karakter tranzit.

Ky transformim është realizuar përmes vendosjes se stolave për qytetarët, ndriçuesve të rrugës, pemëve gjelbëruese me kurorë të dendur në mënyrë që të krijojnë një hijëzim të plotë në periudhën e verës, vënien e një ushtarë trafiku që ndan vendkalimin e biçikletave nga sheshet urbane si dhe vendosjes së spoteve ndriçues poshtë stolave, në mënyrë që ata të jenë të dukshëm edhe gjatë natës, si elementë urbanë të sheshit.

Ly projekt u realizua falë mbështetjes së kompanive të grupit Calik, Albtelecom, BKT dhe Eagle Mobile.

mit/NOA

KOMENTE