Tiranë, 10 Janar 2011 NOA - Qeveria vendos të ndërhyjë në sistemin fiskal në disa prej sektorëve kyç të ekonomisë; si ai bankar dhe telekomunikacioneve. Kryeministri Sali Berisha ishte shumë i ashpër sot ndaj kompanive private që ofrojnë shërbime dhe tha sot se kjo ndërhyrje është e nevojshme për shkak të tarifave tepër të larta që ofrohen për shqiptaret nga këto sektorë.
Ai nënvizoi faktin sipas tij, se këto shërbime janë më të shtrenjtat në rajon e më gjerë. Duke u ndalur në shërbimet bankare Berisha tha se “nuk mund të pranojmë ne që transaksionet elektronike të jenë falas në të gjithë Europën dhe këtu të paguhen sa “Frangu pulën”.
Kurse duke folur për telekomunikacionin tha: “Nuk mund të bindem unë që shqiptarët në një përdorim të celularëve 17% mbi mesataren evropiane duhet tu imponohen tarifa, të cilat janë 2-3 herë më të larta se rajoni apo të Austrisë që është një vend me paga minimumi 5 herë më të larta se Shqipëria”.
Deklaratat
Në deklaratën e bërë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Drejtoreshën e Menaxhimit të Bankës Botërore Ogozi Okonja Luala, Kryeministri tha se qeveria nuk do të lejojë oligarkinë në treg.
“Shpreh një shqetësim serioz të qeverisë sime, ndaj dy-tre sektorëve, të cilët u ngarkojnë për shërbimet e tyre qytetarëve shqiptarë tarifa tejet të larta dhe të pajustifikuara”, - tha Berisha duke paralajmëruar: “Natyrisht nuk është një lajm i këndshëm, por unë dua të informoj opinionin se qeveria do të lëvizë sistemin fiskal ndaj këtyre sektorëve, në mënyrë proporcionale dhe të fuqishme”.
Berisha përmendi se “ne kemi ulur tatim fitimin nga 20 në 10%, ne kemi ulur taksën e të ardhurave personale nga 23 në 10%, kemi ulur kontributet e sigurimeve shoqërore nga 32 në 15%”.
Menjëherë më pas, deklaroi: “Ne nuk mund dhe nuk do të pranojmë që shqiptarët, me këto taksa kaq të ulëta të paguajnë, tarifa të cilat janë shumë disproporcionale me realitetin dhe tregun”.
Berisha tha se “ata që shfrytëzojnë lirinë ekonomike për t’u shtruar në oligarkë, ata duhet ta kenë shumë të qartë se nuk është ky qëllimi i lirisë ekonomike. Kjo qeveri do të përdorë zero tolerancë ndaj oligarkëve dhe oligarkisë. Liria ekonomike nuk nënkupton këtë. Kodi moral i fitimit është një nga kodet më themelore të individit, por dhe të kompanive. Është fyerje e rëndë e këtij kodi moral, që çoi botën në një prag katastrofe, para së gjithash dhe mbi të gjitha ne nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm një kod moral fitimi. Nëse vjen këtu dhe tarifon shqiptarët 2 apo 3 herë me lart, sesa të tjerë me rroga 5 herë më të larta se shqiptarët kjo nuk do të mund të tolerohet”.
Berisha pohoi se “çmimet dhe tarifat nuk i përcaktojmë ne dhe ju e keni konstatuar mirë, sa here kanë lëvizur ato unë i kam respektuar, por nga ana tjetër ka një mënyrë indirekte për të mbrojtur qytetarët shqiptarë, për të bërë që në të gjitha këto fitime të pa përmbajtura të paguhet taksa përkatëse në mënyrë, që edhe ata të kenë më shumë shkolla më shumë rroga, kanalizime e ujësjellës. Pra këto janë raste sporadike kjo nuk është e përgjithshmja, tregu shqiptarë është një treg tërësish i lirë, por ka shkelje dhe ne ju garantoj ju që në mënyrën më të butë, por të vendosur jemi përpjekur, kemi kërkuar që disa norma morale të fitimit të respektohen”.
Më tej Berisha premtoi: “Aty ku nuk janë respektuar qeveria do të ndërhyjë. Nuk mund të pranojmë ne që transaksionet elektronike të jenë falas në të gjithë Europën dhe këtu të paguhen sa “Frangu pulën”. Në një kohë që ne në emër të zhvillimit të këtij tregu pothuajse detyrojmë qytetarët të ecin drejt transaksionit elektronik. Janë bërë përpjekje serioze për të arritur në një mirëkuptim në mënyrë që kodi moral i fitimit, që duhet të karakterizojë çdo individ duhet të karakterizojë çdo kompani. Kriza e madhe botërore e krijuar para së gjithash nga mos respektimi i këtij kodi. Në këtë rast nuk mund të bindem unë që shqiptarët në një përdorim të celularëve 17% mbi mesataren evropiane duhet tu imponohen tarifa, të cilat janë 2-3 herë më të larta se rajoni apo të Austrisë që është një vend me paga minimumi 5 herë më të larta se Shqipëria.
Ndaj dhe këtë vit, - tha Berisha, - ne nuk kemi ndërmend që të pajtohemi me oligarkitë. Këtu kush të dojë të bëj biznes është i mirë pritur i vlerësuar i nderuar i respektuar dhe ju garantoj se të gjitha ligjet janë bërë siç ka qenë interesi më i mirë, por askush lirinë ekonomike, nuk ka të drejtë të shfrytëzojë për të krijuar dhe për të bërë oligarkun. Historia e oligarkive është një histori, e cila duhet të lihet prapa, është një histori nga e cila shoqëritë e lira duhet të ndahen dhe unë me keqardhje konstatoj se tendenca të tilla ekzistojnë dhe dua të them këtu se toleranca do të jetë zero.
Gjithsesi Berisha tha se “unë mbetem i vendosur që të mos ndërhyj asnjëherë ne çmime, ato do t’i përcaktojë tregu. Detyra e qeverisë është të lëvizë me atë sistem që i bën të mundur një shpërndarje me të ndershme, më të drejtë të të ardhurave”.
Kjo ndërhyrje e paralajmëruar sot nga Berisha, vjen në një kohe kur Enti Rregullator i Telekomunikacioneve u ka kërkuar kompanive celulare që brenda 2011-ës të ulin me 15% tarifat për shërbimin që ofrojnë, me argumentin se është më i larti në rajon. Ndërsa brenda 2013-ës ulja e tarifave të shkojë në masën 60 %.
e.r/NOA