English

Basha: Kontrollet e policisë garantojnë sigurinë

Tiranë, 11 janar, NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha tha sot rezultatet e operacionit në shkallë të gjerë në të gjithë vendin, po kryen Policia e Shtetit për forcimin e rendit dhe sigurisë.

“Plani i masave i vënë në veprim nga policia në të gjithë territorin e vendit ka për qëllim forcimin e kontrollit të territorit, identifikimin e personave në kërkim si dhe mbajtjen nën kontroll të fenomeneve të tilla si armëmbajtja pa leje apo akte të tjera në kundërshtim me ligjin”, tha në një prononcim për mediat pas takimit me drejtuesit e Gradës së Republikës ministri Basha.

Ai shtoi se ky plan masash përmbush një nga objektivat kryesorë të Policisë së Shtetit, që është rendi dhe siguria anembanë vendit.

“Siguria është një e drejtë e patjetërsueshme kushtetuese e çdo qytetari të Republikës dhe unë si Ministër i Brendshëm jam i vendosur dhe i jap mbështetjen e plotë Policisë në këtë operacion i cili vazhdon”, tha Basha.

Nga ana tjetër ministri ju përgjigj dhe interesit të medieve për akuzat e opozitës për keqtrajtim të qytetarëve gjatë këtyre operacioneve. Ministri Basha u shpreh se nuk ka asjë ankesë nga qytetarët dhe se nërastet kur ato do të paraqiten do të trajtohen në bazë të ligjit.

“Nuk ka asnjë ankesë të depozituar gjatë ditëve që plani special i masave ka nisur dhe natyrisht që në çdo rast nëse ka ankesa të tilla do të trajtohen sipas ligjit, por ju garantoj se Policia e Shtetit po kryen detyrat e saj me profesionalitet dhe përkushtim të lartë”, tha ministri Basha.

Në takimin e analizës së veprimtarisë gjatë vitit 2010 të Gardës së Republikës, ministri Basha përgëzoi Gardën e Republikës për përmbushjen me sukses të plotë të objektivit kryesor të saj, garantimin e sigurisë së institucioneve kryesore të vendit dhe e personaliteteve shtetërore dhe politike të vendit dhe të huaja.

Ministri Basha vlerësoi në mënyrë të veçantë kontributin e dhënë nga Garda e Republikës gjatë situatës së përmbytjeve në Shkodër, e po kështu përballimin gjatë vitit të kaluar të një situate anormale sa i përket sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë për shkak të bllokimit trejavor të bulevardit”Dëshmorët e Kombit”.

Basha evidentoi si prioritete kryesore për veprimtarinë në vijim të Gardës së Republikës, rritjen e mëtejshme e nivelit profesional nëpërmjet trajnimit dhe ritrajnimit të vazhdueshëm të të gjithë personelit të saj, vazhdimin e programeve të investimit për infrastrukturën dhe bashkëpunimin e plotë me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kombëtare.

a.k/NOA

KOMENTE