Kamëz, 11 janar, NOA – Bashkia e Kamzës ka nënshkruar një marrëveshje binjakëzimi me Bashkinë Kemalpasa në Turqi. Në praninë e dy kryebashkiakëve Xhelal Mziu dhe Ridvan Karakayali, ky binjakëzim erdhi si frutë i përpjekjeve, punës dhe angazhimeve të shumta që stafet e të dy bashkive patën dhe realizuan njëra me tjetrën.
Nga ana e tij, Karakayali tha se ishte tepër i lumtur që Bashkia Kemalpasa do të nënshkruajë marrëveshjen e binjakëzimit me Bashkinë Kamëz në Shqipëri.
“Të binjakëzuar ne do të jemi më afër se kurrë që të punojmë sëbashku në shtrirjen sa më të gjerë të marrëdhënieve tona”, u shpreh ai.
Ndërsa Mziu pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm në sallë tha se kjo Marrëveshje e Binjakëzimit shënon jo vetëm mbajtjen e marrëdhënieve të përhershme midis dy vendeve, por sidomos në realizimin dhe në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për shkëmbim të stafeve, trajnimin e tyre, aplikimin për projekte të përbashkëta në Komisionin Evropian si dhe në aktivitete kulturore artistike.
Nënshkrimi i këtij akti binjakëzimi shënon një moment tjetër të rëndësishëm për Bashkinë Kamëz dhe për gjithë komunitetin e saj.
n.e/NOA