Tiranë, 11 janar, NOA – Delegacioni shqiptar në Këshillin e Europës do të paraqitet me një qëndrim të përbashkët kundër raportit të Dick Martit për trafikun e organeve gjatë luftës në Kosovë.
Me kundërshti dhe të ndarë për shumë gjëra, anëtarët e delegacionit që përfaqësojnë PD dhe PS, kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një çështje që ka të bëjë me interesin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve në rajon.
Anëtari i delegacionit Arben Ahmetaj tha se në takim nuk ka pasur debate dhe vetëm është diskutuar për strategjinë që do të ndiqet në kundërshtimin e projekt rezolutës së Dick Martit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
“Ishte një takim pune ku është diskutuar për qëndrimin që do të mbajë Parlamenti Shqiptar në KE. Takimi i sotëm do të pasojë dhe takime të tjera në vazhdim", tha Ahmetaj për mediat pas takimit.
Qëndrimi i palës shqiptare do të prezantohet në Asamblesë Parlamentare të KE më 24 janar në Strazburg.
a.k/NOA