English

Edhe rivotimi, plot me ankesa në Kosovë

Prishtinë, 11 Janar 2011/ Albana Isufi- As rivotimi i 9 janarit në Skënderaj, Drenas, Deçan, Malishevë e Lipjan nuk ka kaluar pa ankesa të subjekteve politike dhe të vëzhguesve. Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri në mbylljen e afatit ligjor për deponimin e ankesave, kanë arritur 61 sosh. Kryesuesi i Panelit, Shukri Sylejmani, tregon se cilat subjekte janë ankuar.

“Me skadimin e afatit ligjor për paraqitjen e ankesave, gjithsej kanë ardhur 61 ankesa: 39 nga Vetëvendosje, 10 nga LDK-ja, 10 nga BIRN-i dhe dy nga PDK-ja”, thotë Sylejmani për Radion Evropa e Lirë.

Edhe në ditën e votimit ka pasur ankesa nga subjektet politike, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkohë, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë kritikojnë rivotimin, duke vënë në pah parregullsi të shumta që kanë pamundësuar përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Shukri Sylejmani thotë se ankesat përfshijnë pothuaj të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet e 9 janarit. Sidoqoftë, ai nuk mendon se mund të ketë përsëri rivotim. “Nuk mund të flitet tani për tani për rivotim, ngase kjo punë po i bie që ne po paragjykojmë diçka. Por, duke pasur parasysh situatën, nëpër të cilën po kalon Kosova, është vështirë të flitet për një rivotim. Megjithatë, shkelësit që i kanë bërë ato shkelje me qëllim, ata nuk do të falen, por do të ndëshkohen sipas ligjit”, thekson Sylejmani.

Që nga viti 2009 zgjedhjet në Kosovë po shoqërohen me parregullsi, të cilat po çojnë në përsëritjen e votimeve. Ish-kryesuesi i KZAP-it, Tahir Rrecaj, thotë se shkak mund të jetë edhe mosndëshkimi i përgjegjësve të manipuluesve të votës.

Rrecaj tregon se edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2009, janë dërguar në prokurori mbi 100 raste, por asnjë person nuk ka dalë para drejtësisë.

“Unë jam shumë i sigurt që sikur prokuroritë dhe gjykatat të ishin më funksionale lidhur me shkeljet që janë bërë dhe lidhur me zgjedhjet lokale të 2009-ës, dhe sikur t’i kishin proceduar këto raste dhe të kishin shqiptuar dënime dhe ato dënime, pastaj, të bëhen të njohura në opinion, me siguri se tani në këto zgjedhje nuk do të kishim shkelje të tilla drastike çfarë u manifestuan në zgjedhjet qendrore. Ndërsa, tani po del se ka pasur shkelje edhe në përsëritjen e votimeve më 9 janar”, shprehet Rrecaj i cituar nga radio Free Europe.

Personat, të cilët dyshohen se kanë manipuluar me votën e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit, mund të dënohen deri me 5 vjet heqje lirie.

Kodi Penal i Kosovës parasheh pesë vepra penale që kanë të bëjnë me dënimet për shkak të manipulimeve, mashtrimeve, falsifikimeve dhe parregullsive të tjera.

Ndryshe, për shkak të parregullsive të gjetura në zgjedhjet e 12 dhjetorit, edhe Mitrovica do të shkojë në rivotim më 23 janar.

KQZ-ja beson se cikli i zgjedhjeve do të mbyllet pas rivotimit në Mitrovicë.

KOMENTE