English

Gjermania: Vizat, shqiptarët po kthehen pas ikjes së parë

Tiranë, 11 Janar 2011/ Arben Muka - Ambasadorja Carola Mueller – Holtkemper, ambasadore e RFGJ në Shqipëri tha sot se “konstatojmë se pas ditëve të festave ka patur një valë të fuqishme të udhëtimeve në kthim”. Nga ana tjetër, ambasadorja vlerëson mundësitë që u ofron të rinjve heqja e vizave nga BE. Ajo kërkon kompromise politike, për të ndaluar rënien e besimit. Kurse thekson: “Premtojmë një shkëmbim më të fuqishëm mes shoqërive tona civile". Në fund të vitit 2010 Komisioni Europian publikoi raportin e progresit për Shqipërinë, ku evidentonte përparime, por dhe probleme. Ky vlerësim po lexohet në mënyra të ndryshme nga politika shqiptare. Ka apele nga ndërkombëtaret për afrim të qëndrimeve mes mazhorancës dhe opozitës, por të paktën deri me sot nuk ka ndonjë qëndrim që t'i japë fund ngërçit politik në vend. Si do ta vlerësonit këtë situatë? Funksionaliteti i parlamentit është një kriter i rëndësishëm politik në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Për këtë arsye bllokada politike që zgjat prej afër një viti e gjysmë është një prej shkaqeve kryesore pse Komisioni Europian në raportin e fundit të progresit nuk e rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat. Para së gjithash do të thoja se është në interes të popullit shqiptar që të dy kampet politike të arrinin të gjenin një zgjidhje kompromisi, në mënyrë që të parandalohet një humbje e mëtejshme në besimin e shqiptarëve në institucionet e tyre politike dhe që të ketë mundësi për përkushtim ndaj detyrave urgjent,e që kërkojnë bërja e reformave. Dua të shpreh keqardhjen time që dy kampet politike nuk mundën të gjenin një zgjidhje kompromisi. Së fundmi, dihet që ishte propozuar nga Parlamenti Evropian një formulë e qartë kompromis,i ku ne vërtet kishim shpresa shumë të mëdha se kompromisi do të dilte në dritë ditët e fundit. Raporti i progresit për vitin 2010 numëron 12 fusha problematike, në të cilat BE pret dhe shpreson hapa konkretë. Krahas funksionalitetit të parlamentit këtu ka dhe fusha të tjera me rëndësi të madhe, sikundër janë demokracia, shteti ligjor dhe sistemi i drejtësisë. Bllokada politike pengon dhe zgjidhjen e këtyre fushave problematike. Raporti i ri i progresit, që pritet të publikohet në vjeshtë të këtij viti do të marrë në konsideratë dhe do të vlerësojë ato që arrihen deri në verë. Në fakt disa prej fushave problematike, që janë përmendur në raportin e fundit qeveria shqiptare mund t'i zgjidhë ose orientojë drejt zgjidhjes me anë të shumicës së vet parlamentare. Ndërkohë që të tjerat kanë nevojë për zgjidhje, për të cilat do të ishte e nevojshme përpjekja e përbashkët e mazhorancës dhe e opozitës. Kur mendoni se Shqipëria do të marrë një vendim pozitiv për statusin e vendit kandidat në BE? Ministri Federal i Punëve të Jashtme, zoti Guido Westerwelle ka theksuar gjatë një konference të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Berlin muajin e kaluar se ky rajon është pjesë e Evropës. Pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një synim i qartë dhe i rëndësishëm i procesit të zgjerimit të BE-së. Një rekomandim pozitiv i Komisionit Evropian në raportin e progresit, si dhe vendimi pozitiv i shteteve anëtare gjithsesi varen nga progresi që do të arrijë Shqipëria në kuadër të reformave. Duhet marrë në konsideratë se qeveritë e vendeve anëtare të BE-së në vendimet e tyre kanë një lloj detyrimi dhe përkundrejt popullsive të tyre. Pasi nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese, ky proces ka një formë të ndryshme në vende të ndryshme. Në Gjermani p.sh., gjykata federale kushtetuese e ka përforcuar në kuadër të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës rolin e Bundestag-ut në kuadër të zgjerimit të BE-së. Prej disa javësh ka nisur zbatimi i procesit të liberalizmit të vizave për qytetarët shqiptarë, që i drejtohen zonës Shengen të BE-së. Nisur nga ajo që ka ndodhur një vit më parë me qytetarët nga Serbia dhe Ish - Republika Jugosllave e Maqedonisë, a mendoni se ka vend ende për mosbesim se kjo liri udhëtimi do të shfrytëzohet dhe për punësim, qëndrim afatgjatë ose azilim nga qytetarët shqiptarë? Dëshiroj të them paraprakisht se liberalizimi i vizave është një sukses i madh për Shqipërinë. Suksesi i Shqipërisë në këtë rast tregon dy aspekte. Kur ka bashkim të forcave, Shqipëria mund të arrijë vërtet progres të konsiderueshëm. BE i qëndron fjalës së dhënë. Po t'i kthehemi pyetjes suaj, nisur nga përvojat e deritanishme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka qenë një prej kushteve që Shqipëria të mund të sqarojë dhe të informojë popullatën nëpërmjet një fushate informimi mbi detyrimet që rezultojnë nga kuadri ligjor për një udhëtim pa viza në hapësirën e vendeve Shengen. Sikurse është rënë dakord, qeveria shqiptare ka realizuar një fushatë të tillë informimi në javët para se të merrej vendimi për liberalizimin e vizave. Për të vlerësuar faktin, nëse kjo liri udhëtimi pa viza është keqpërdorur apo jo, është ende herët. Ne gjithsesi konstatojmë se pas ditëve të festave ka patur një valë të fuqishme të udhëtimeve në kthim. Mundësia për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen vlerësohet prej nesh shumë pozitivisht. Ne premtojmë që do të ketë një shkëmbim më të fuqishëm mes dy shoqërive tona civile. Veçanërisht të rinjve, ky liberalizim u krijon mundësinë për të shikuar gjatë qëndrimeve të tyre afatshkurtra në hapësirën e Shengen-it drejt zhvillimit, duke u kthyer në Shqipëri me ide të freskëta dhe të avancuara. Për vitin 2011 si është perspektiva e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë? Marrëdhëniet tona bilaterale ne i konsiderojmë si të shkëlqyera, duke dëshiruar zgjerimin e tyre të mëtejshëm gjatë këtij viti. Të flasim konkretisht: Gjermania e ka mbështetur dhe vijon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në BE. Ne japim kontributin tonë duke u fokusuar në sektorët e furnizimit me energji elektrike, mjedisin duke përfshirë këtu dhe furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe mirëqeverisjen. Që nga fillimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve më 1987, qeveria federale e ka mbështetur Shqipërinë me një vlerë më shumë se 1 miliardë euro. Nga këto, 200 milionë euro janë vënë në dispozicion që prej vitit 2008. Para disa ditëve qeveria federale ka vënë në dispozicion nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, një kredi të butë në vlerën e 30 milionë eurove, për ndërtimin e linjës së transmetimit të tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si dhe 67.5 milion euro për projekte të infrastrukturës dhe të fushës sociale. Ky bashkëpunim bilateral ekonomik realizohet krahas projekteve të tjera të BE-së, buxheti i të cilave bartet në një vlerë rreth 20 për qind nga Gjermania. Fund

KOMENTE