English

Italia, pse është përkrah Shqipërisë

Nga Franko Frattini Dua të rikonfirmoj mbështetjen e fuqishme të qeverisë italiane për marrjen sa më të shpejtë nga ana e Shqipërisë të statusit të kandidatit për në Bashkimin Evropian. Shqipëria duhet të vërë në zbatim 12 pikat e paraqitura në Opinionin e Komisionit Evropian. Për këtë gjë duhet të përgatitet dokumenti përkatës, që nga momenti që flasim deri në mes të korrikut, në mënyrë që të shqyrtohet dhe, me shpresë, të miratohet në tetor. Pra, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin gjatë muajve të ardhshëm në mënyrë që gjatë kësaj periudhe të bëjmë të mundur vënien në zbatim të plotë të të gjitha këtyre 12 pikave të kërkuara si kushte nga KE. Për ta bërë tërësisht të qartë, ne do të duhet të shpjegojmë akoma më mirë për opinionin publik dhe median se si është situata në Shqipëri. Qeveria Shqiptare po bën një progres të ndjeshëm dhe këtu dua të nënvizoj se nuk është e vërtetë që Parlamenti i Shqipërisë është i bllokuar dhe i mbyllur. Ai po punon, ndërkohë që grupimet kryesore politike në Parlamentin Evropian, janë angazhuar në një fushatë për të gjetur konsensus midis dy forcave kryesore politike të Shqipërisë, pra të djathtës dhe të majtës, por për fat të keq kjo nuk ka qenë e mundur, për shkak se njëra forcë ka refuzuar çdo lloj propozimi nga Parlamenti Evropian. Megjithatë, ne duhet të shkojmë përpara, të shohim drejt së ardhmes, të mbështesim Shqipërinë. Më 18 Janar do të vijë në Milano Kryeministri Shqiptar, Sali Berisha, dhe ish homologu im, tashmë Ministër i Ekonomisë, z. Ilir Meta për të bërë një prezantim të plotë të Shqipërisë dhe burimeve ekonomike që ajo ofron, duke paraqitur kështu mundësitë e Shqipërisë për fushat ku mund të investohet nga investitorët italianë. Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe bashkëpunim në muajt e ardhshëm. Ne kemi folur edhe për Ballkanin Perëndimor dhe unë kam dhënë edhe mendimin tim lidhur me situatën në Ballkan. Unë shpreha dëshirën dhe shpresën time personale lidhur me fjalën që Ministri i Jashtëm më dha lidhur me situatën në Ballkan, ku Shqipëria do të jetë edhe më e angazhuar për të kontribuar në lehtësimin e situatave të vështira, siç është ajo e Kosovës, ku Shqipëria ka një eksperiencë shumë pozitive lidhur me komunitetin Kosovar dhe uroj që ajo të vazhdojë të kontribuojë dhe influencojë pozitivisht.

KOMENTE