Podgoricë, 11 Janar 2011/ Zijadin Gashi - Bashkësia malazeze në Kosovë është në pritje të formimit të institucioneve të reja, para se t'i njihet statusi i pakicës kombëtare. Një status i tillë atyre u është premtuar nga institucionet tashmë në largim. Krahas malazezëve, paralajmërohet se një pozitë të njëjtë do ta fitojë edhe bashkësia kroate. Bashkësia etnike malazeze mund të fitojë statusin e pakicës në Kosovë, sapo të formohen institucionet e reja. Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në fund të vitit të kaluar pati deklaruar se Kosova dhe Mali i Zi mund t’i ngritin marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadash sapo Kosova ta njohë bashkësinë malazeze si pakicë kombëtare. Mirëpo, që kjo bashkësi të fitojë këtë status, fillimisht duhet ndryshuar Ligji mbi të drejtat dhe promovimin e pakicave. Këshilltari politik në zyrën e kryeministrit, Srxhan Sentiq, thotë se pranimi i pakicës malazeze mund të ndodhë shumë shpejt. “Bashkësia malazeze jeton në Kosovë dhe është e pranuar si bashkësi, ngase ende nuk ka hyrë në procedurën legale për një status tjetër. Presidenti i Kosovës i pati proceduar Qeverisë kërkesën për pranimin e statusit të pakicës për malazezët, por për shkak të rrethanave aktuale politike, kjo çështje ka mbetur në procedurë”, thotë Sentiq. Ish-presidenti Fatmir Sejdiu qe zotuar atë kohë se malazezët do të njihen si pakicë kombëtare në fund të vitit 2010, por pasoi dorëheqja e presidentit, kriza qeveritare dhe shpërndarja e Kuvendit, çka pamundësoi marrjen e vendimit në Kuvend. Srxhan Sentiq thotë se nuk mund të spekulojë se pse nuk është marrë vendimi më herët, por beson se kjo çështje do të rregullohet sapo të formohen institucionet e reja. “Me siguri se pas formimit të qeverisë... Qeveria do të shqyrtojë ndryshimin e amendamentit të ri në ligj dhe do të parashohë pakicën malazeze dhe atë kroate në kuadër të Kushtetutës së Kosovës”, thekson Sentiq. Në kuadër të Presidencës së Kosovës funksionon edhe Këshilli Konsultativ për Komunitete. Snezhana Karaxhiq, kryesuese e bashkësisë malazeze në këtë këshill, konfirmon se ka mbështetje të plotë të institucioneve që malazezët të njihen si pakicë. “E gjithë puna, mundimi dhe angazhimi i çdonjërit dhe i gjithë popullatës malazeze në Kosovë, ka si qëllim që edhe ne të pranohemi dhe prezantohemi në mënyrë legale përmes ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës“, pohon Karaxhiq. Ndërsa, Sllobodan Vujiqiq, nga Partia Demokratike Malazeze, thotë se nëse nuk ndërmerret diçka, malazezët e Kosovës mund të asimilohen. “Pozita e malazezëve është mjaft e rëndë dhe se te të gjithë ne ka një shqetësim se nëse nuk ndryshohet diçka në mënyrë urgjente, malazezët rrezikojnë që në mënyrë autentike të përfaqësohen në Kuvend dhe Qeveri”, shprehet Vujiqiq. Numri i saktë i malazezëve në Kosovë nuk dihet, pasi që regjistrimi i popullsisë nuk është bërë që nga viti 1981. Atë kohë, ky numër ishte 29 mijë, kurse tani, sipas përfaqësuesve politikë të këtij komuniteti, parashihet se jetojnë rreth 5 mijë malazezë, kryesisht në rajonin e Pejës dhe Mitrovicës. Ndryshe, pakicat e njohura me Kushtetutë në Kosovë janë ajo serbe, boshnjake, turke dhe komuniteti rom, ashkali e egjiptian. Kurse, gjatë këtij viti, krahas malazezëve, të njëjtin status mund ta fitojë edhe bashkësia kroate.