English

Mbillen pemë në Njësinë nr. 5, Rama: Investim për cilësinë e jetës

Bashkia e Tiranës vijoi sot gjelbërimi e hapësirave brenda bllokut të banimit 79, pjesë e Njësisë Bashkiake nr.5, e cila kufizohet nga rrugët “Irfan Tomini”, Unaza e Re, rruga e “Kavajës”, Bulevardi “Bajram Curri”. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Duke folur mbi punën e Bashkisë së Tiranës për rritjen e cilësisë së bashkëjetesës në blloqet e banimit, përmes intensifikimit të hapësirës së gjelbër dhe rikualifikimit të hapësirave publike, në funksion të komunitetit, Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama tha se Bashka po investon që bashkëjetesa në hapësirat publike të jetë në nivelin e kërkuar.

“I gjithë kompleksi i bazës ligjore të bashkëpronësisë për ta implementuar dhe për të cilin ne jemi në një punë intensive, është pazgjidhshmërisht i lidhur edhe me domosdoshmërinë që kësaj bashkëpronësie në godinat e banimit, t’i japim edhe përmasën e duhur të bashkëjetesës në hapësirat publike të blloqeve të banimit”, tha Rama.

Kreu i Bashkisë se në në të gjithë blloqet e rindërtuara dhe në ato që po rindërtohen “ne po vazhdojmë të rrisim e intensifikojmë përmasën e gjelbër, duke vijuar me mbjellje pemësh kudo ku ka nevojë e njëkohësisht do të vazhdojmë të rrisim hapësirat e rikualifikuara në dispozicion të më të moshuarve dhe më të vegjëlve në radhë të parë, në mënyrë që këto hapësira publike të cilat tashmë janë të transformuara, nga hapësira tërësisht të pabanueshme në hapësira të pëlqyeshme, të mund të bëhen edhe mjedise që i japin një cilësi krejt të re kohës së lirë”.

Në këtë bllok banimi me sipërfaqe prej 30 hektarësh, të trajtuar me të gjithë elementët e infrastrukturës është parashikuar shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra me 400 pemë të llojit bli, ndërkohë që kjo ndërhyrje do të vijojë edhe në blloqe të tjera banimi, duke rritur kështu cilësinë e jetës për banorët.

Sipas Bashkisë së Tiranës, krahas përmirësimit të infrastrukturës dhe ndërhyrjeve transformuese në zonat në qendër të kryeqytetit, ashtu edhe në zonat periferike, Bashkia e Tiranës synon të sensibilizojë dhe kërkon njëkohësisht angazhimin e gjithsecilit, në procesin mirëmbajtjes të këtyre investimeve.

“Proçesi i rëndësishëm i mirëmbajtjes vë theksin në domosdoshmërinë që të gjithë të jenë pjesë e respektit për mjedisin dhe ruajtjes së kësaj pasurie të përbashkët, duke filluar që nga mbajtja pastër, hapësirat që u duhen më të moshuarve, fëmijëve, të gjithë qytetarëve, përmirësimi i cilësisë së ambientit dhe pse jo favorizimi i kohezionit social në këto blloqe banimi”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës deklaron se do të vazhdojë punën në mënyrë që këto rezultate të jenë të prekshme nga çdo qytetar, duke krijuar kushtet dhe standardet e nevojshme në çdo zonë dhe metër katror të kryeqytetit.

a.k/NOA

KOMENTE