Tiranë, 11 Janar 2011 NOA / Rid Bulku - Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, tha sot se është tërësisht i pavërtetë, madje një trillim dashakeqës, fakti që plehrat e Napolit apo të Italisë, do të sillen në Shqipëri, duke e kthyer vendin tonë në një Somali e dytë. “Një gënjeshtër e tillë është fabrikuar nga grupe të caktuara, me interesa politike dhe ekonomike, të cilët kanë për qëllim të dezinformojnë publikun. Në të kundërt, janë të lutur të paraqesin një dokument apo një kontratë që e vërteton atë”. Reagimi i Mjedisit erdhi siç tha zyra për shtyp, nisur nga debatet e shumta, por jo rrallë herë të deformuara, lidhur me miratimin e Listës së Gjelbër dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për lejimin e importit të lëndëve të dyta për efekte riciklimi. Përsa i përket Listës së Gjelbër dhe lejimit të importit të disa lëndëve të kategorizuara, për efekte riciklimi, - thotë ministria, - theksojmë edhe një herë se riciklimi është një ndër industritë më të zhvilluara botërore, sidomos në BE. Për herë të parë, Ministria e Mjedisit në Shqipëri, është duke vepruar me një legjislacion tërësisht të përafruara më vendet e BE-së. Në këtë kontekst edhe industria e riciklimit, do të ushtrojë veprimtarinë e saj, por edhe do të monitorohet njëkohësisht, nga një legjislacion tepër rigoroz, konform standarteve të BE-së. Në lidhje me pretendimet e ngritura se Shqipëria, po pushtohet nga landfilldet, duam të sqarojmë se kjo nuk është një metodë, të cilën e ka shpikur Ministria e Mjedisit, por është një praktikë mbarëbotërore, për menaxhimin e mbetjeve. Në këtë kuadër, Ministria e Mjedisit, ka hartuar një strategji për menaxhimin e mbetjeve, e cila është asistuar në çdo hap nga strukturat e Bashkimit Evropian, si dhe është në përputhje të plotë me standardet e vendeve më të zhvilluara të BE-së, por njëkohësisht e konsultuar edhe me të gjitha grupet e interesit në vend dhe shoqërinë civile. Ndërtimi i landfillideve është një strategji e domosdoshme, që mbeturinat të mos mbushin rrugët e qyteteve, shtretërit e lumenjve dhe rrugët nacionale, por që nuk mund të implentohet pa bashkëpunimin me pushtetin lokal, i cili deri tani, çështjen e mbeturinave e ka trajtuar jo si një objekt parësor të punës së tij, ndonëse për këtë mban përgjegjësi administrative. r.b/NOA