English

Muça-Tafaj: Ligji i ri ndalon mbajtjen e shamisë

Tiranë, 11 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas reagimit të Kishës Ortodokse shqiptare ndaj disa neneve të projektligjit të ri për arsimin, të cilat sikundër deklaroi kisha ortodokse cënojnë besimin dhe pikërisht mbajtjen e simboleve fetare në arsimin parauniversitar, ka reaguar edhe Komuniteti Musliman shqiptar. Kryetari i këtij Komuniteti, Haxhi Selim Muça është takuar sot me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, të cili i ka shprehur shqetësimin e besimtarëve muslimanë, për mbajtjen e shamisë së flokëve një detyrim fetar për besimtaret myslimane. Lajtmotiv i bisedës ishin disa nene të shtuara në projektligjin për arsimin parauniversitar, dhe veçanërisht pika 4 e nenit 36, e cila ka ngjallur debate të shumta lidhur me kuptimin dhe interpretimin e saj. Sipas kreut të Komunitetit Musliman, kjo pikë është interpretuar dhe po vazhdon të interpretohet si masë ndaluese veçanërisht për mbajtjen e shamisë-mbulesë e kokës (flokëve) të vajzave myslimane gjatë frekuentimit të institucioneve arsimore publike dhe private në Shqipëri. Kryetari i këtij komuniteti, Haxhi Selim Muça e ka sqaruar Ministrin Tafaj se mbulesa e flokëve nuk është një simbol fetar, por është praktikë fetare dhe është një urdhëresë Kur’anore obligative për të gjitha vajzat, që kanë mbushur moshën e pjekurisë. “Ajo nënkupton mbulimin e flokëve dhe jo të fytyrës, që është e njëjta shami, e cila nga pikëpamja pamore e saj ka gjetur dhe gjen mbrojtje e mbështetje të plotë sa i takon mosndalimit të saj në emetimin e dy prej dokumenteve më të rëndësishme në vend e jashtë Shqipërisë, siç janë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike”, u shpreh Muça. Ai shtoi se “E theksojmë këtë mosndalesë të shamisë në kuadër të dokumentacionit, për ta bërë edhe më të qartë praktikën fetare të pretenduar: shami që mbulon flokët dhe jo fytyrën, duke gjykuar se mbajtja e saj dhe respektimi i veshjes në tërësinë e saj, nuk cenon në asnjë rast uniformën shkollore e mund të qëndrojë paralelisht me këtë të fundit”. Nga ana e tij, Ministri Tafaj e ka garantuar Kryetarin e KMSH-së se nuk do të ndërmerret asnjë nismë zyrtare për miratimin e projektligjit në fjalë pa u marrë në konsideratë sugjerimet e grupeve të interesit. Tafaj u shpreh se, “Projektligji është në diskutim publik dhe nuk është përfundimtar. Ligji nuk mund dhe nuk do të bjerë ndesh me kushtetutën e vendit dhe me ligjin e mosdiskriminimit. Ky projektligj në variantin e tij final do të jetë gjithashtu në përputhje të plotë me sugjerimet e Bashkimit Evropian. Gatishmëria e MASH është maksimale për të konkluduar çdo gjë me gjuhën e mirëkuptimit”, siguroi ministri i Arsimit. Sipas tij nuk ka paragjykim dhe as pozicionim nga ana e MASH, pasi ligji në vetvete do të ngrejë nivelin e arsimit, ndërkohë sikundër tha ai, po projektohet që në programin mësimor të mundësohet futja e lëndës “Kulturë Fetare”. Në deklaratën e tij KMSH, informon se ministri Tafaj theksoi gjithashtu se parimi i MASH-it është që çdo nxënës të gjejë vend në hapësirën e arsimit publik. “Ligji thotë që arsimi parauniversitar është falas. Në thelb të ligjit qëndron fakti që çdo fëmijë dhe çdo nxënës të ndihet komod në shkollat publike, aq më pak për arsye veshjeje apo sjelljeje. Ligji prek 650 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në grup moshat nga 3-18 vjeç, që frekuentojnë arsimin bazë të detyrueshëm”, tha ministri i Arsimit. Ai garantoi kreun e muslimanëve se drafti do të pësojë mjaft përmirësime në përmbajtje dhe se ai do t’i përmbahet në radhë të parë kushtetutës dhe ligjit kundër diskriminimit dhe institucioneve ndërkombëtare. “Të jeni të bindur që do të kemi bashkëpunim deri në fund me ju deri në gjitha hallkat. Ky ligj në variantin e tij final do të jetë konsensual i pranuar nga të gjithë palët dhe grupet e interesit”, premtoi ministri Tafaj. Por, projektligjin në fjalë e kanë kundërshtuar shumë organizata joqeveritare. Reagimi i parë zyrtar ndaj këtij projektligji ka ardhur nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në 27 dhjetor të vitit të shkuar e po ashtu edhe diskutimi i parë publik me një grup interesi, siç ishte takimi i sotëm me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. i.t/e.r/NOA

KOMENTE