English

Pasqyra e Shtypit, 11 Janar 2011

Tiranë, 11 Janar, NOA - Gazetat shqiptare shënojnë ditën kryesisht artikuj analitikë për ekonominë duke cituar deklaratat e kryeministrit për shërbimet e bankave dhe celularëve, ato të drejtoreshës së Bankës Botërore si edhe të Ndërtuesve.

Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i specializimeve në degët e mjekësisë, ku akuzohen dekani dhe shefi i departamentit se manipuluan me kërkesat, duke ua dhënë të drejtën vetëm fëmijëve të mjekëve.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Shqipëria dhe Kosta Rika, në planet e mafias italiane për mbetjet toksike”, i cili tregon një dosje me emrin “Re Mida” të prokurorisë italiane.

“Kryqi dhe shamia në shkolla, ligji i paqartë”, është një artikull që citon një intervistë të komisioneres së Diskriminimit.

“Oficeri italian, korrier i kokainës në Shqipëri” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Ish-Presidenti/ Meidani: Rama luajti me sakrificën e grevistëve”, i cili flet për qëndrimin e ish-presidentit socialist ndaj grevës së urisë.

“Specializimet te Mjekësia, dekani dhe shefi i shërbimit, akuza për manipulime”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Idrizi i PDU: Pakti me PD për çamët dhe jo pushtet me përqindje”; “PS s’ndihet për kutitë në Konferencën e Kryetarëve”; “Prindërit e Rajmonda Zefit: Nuk do hakmerremi, duam drejtësi” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Ndërtuesit, kriza: Jemi në prag të katastrofës”, i cila citon deklaratat e bëra nga ndërtuesit, duke shpallur vitin 2011 si vit falimentimi të tyre.

“Albino Prudentino në Tiranë, sot ekstradimi drejt Italisë” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar të arrestuarit për pastrim parash.

Kurse “Specializimet te kirurgjia, fitojnë vetëm fëmijët e mjekëve”, flet për reagimin e fituesve të së drejtës së specializimit në mjekësi.

Dhe një tjetër artikull është ai me titullin “Zbulohet makina e futbollistit të Olimpiakosit”.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Shqipëria, me dy delegacione në KiE”, i cili tregon sesi Berisha do udhëtojë drejt Strasburgut për ofensivë ndaj raportit të Martit.

“Hoteli i harruar, që Banka Shqiptare e bleu 4 miliardë për qeverinë” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, mbi hotel Dajtin.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Roma, diplomaci falas për Tiranën”, “Shtrenjtohen artikujt bazë të konsumit të përditshëm” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Bankat dhe celularët, qeveria ndërhyn për të ulur çmimet”, i cili pasqyron deklaratën e djeshme të kryeministrit Berisha.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Fratini: Opozita shqiptare të votojë ligjet që duan dy të tretat”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Drejtoresha e Bankës Botërore: Përballuat me sukses krizën, varfëria është ulur”.


Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Martë, 11 Janar 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE