Prishtinë, 11 janar, NOA - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka dhënë urdhër që targat e Serbisë, të lëshuara për rajonet e Kosovës, që janë parë në veri të vendit, të konfiskohen.
Rexhepi ka theksuar se shteti i Kosovës nuk do të tolerojë që me këto targa të shkelet sovraniteti i vendit, raportojnë mediat kosovare.
Beogradi ka lëshuar në qarkullim tabela me kodin ndërkombëtar të Serbisë (SRB) edhe për shtatë rajonet e Kosovës. Rajoni i Mitrovicës, sipas tij, do ta ketë kodin KM, që do të jetë i shënuar nën simbolin e Republikës së Serbisë, ndërkaq rajoni i Prishtinës PR, i Ferizajt UR.
Tashmë nëpër rrugët e Kosovës, e sidomos në veriun e Mitrovicës, në komunat e banuara me shumicë serbe, sikurse në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë parë të vendosura këto targa. Gjithashtu, Beogradi ka rritur edhe numrin e kodeve komunale nga 41, sa kishte, dhe, duke i përfshirë edhe komunat e Kosovës, tashmë i ka 59 kode komunale.
a.k/NOA