Shkodër, 11 janar 2011, NOA/ Irma Toptani - Isabel, Wiebke dhe Maike, janë tre vajza gjermane, gjimnaziste, anëtare të Fondacionit "Jürgen Vahn”, të cilat kanë lënë qytetin e tyre në Soest të Gjermanisë për të ofruar ndihmën e tyre vullnetare për banorët e Velipojës, një nga zonat e Shkodrës, e cila ishte një nga më të prekurat nga përmbytjet që pushtuan kryeqendrën e veriut të Shqipërisë një muaj më parë. Tri gjimnazistet gjermane janë pritur sot nga kryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Shkodrës, Jozefina Topali, e cila shprehu vlerësimet dhe mirënjohjen për solidaritetin me banorët e përmbytur dhe aksionin e tyre humanitar në ndihmë të banorëve të Velipojës. Gjatë bisedës së përzemërt me tri vajzat gjermane, Kryetarja e Kuvendit tha se nisma e Isabelës, Wiebkes dhe Maikes është e admirueshme dhe në të njëjtën kohë ajo vlerësoi se falë solidaritetit të gjithanshëm Shkodra e tejkaloi këtë situatë të vështirë të shkaktuar nga fatkeqësia natyrore. Vajzat e njohën kryeparlamentaren Topalli me ndihmat që ato kanë mbledhur në ndihmë të banorëve të Velipojës, ndërsa theksuan se përveç mbledhjes së ndihmave financiare ato kanë shpërndarë edhe veshmbathje e lodra për fëmijët e kopshteve në këtë zonë të përmbytur. Isabele, Wiebke dhe Maike rrëfyen edhe për kënaqësinë e ndjerë gjatë këtij rrugëtimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve të Velipojës. “Është një kënaqësi të vizitosh Shqipërinë. Njerëzit janë miqësorë dhe mikpritës. Ne kemi vizituar shumë banorë, shtëpitë e të cilëve për ditë të tëra kanë qenë nën ujë nga fatkeqësia natyrore, por tani situata është normalizuar. Ne u kemi ofruar atyre ndihma dhe do jemi pranë tyre për dy javë”, u shprehën tri vajzat gjermane të Fondacionit “Jürgen Vahn”. Ne kemi jetuar momente të pabesueshme, i treguan ato zonjës Topalli, duke folur për vështirësitë e njerëzve të rrethuar nga uji në Shkodër. “Na pyesnin neve nëse mund të na ndihmoni. Madje, ata na ofronin gjëra për të na falënderuar. Jemi shumë të prekura. E pabesueshme!”, thanë tri gjimnazistet gjermane, të cilat po tregojnë për atë që vlen më së shumti në një shoqëri të qytetëruar, solidaritetin me dhimbjen dhe fatkeqësinë e të tjerëve, a ky solidaritet vjen jo për bashkëqytetarët e tyre, por për qytetarët e një vendi tjetër europian. mit/NOA