English

Ambasadori Molnari: Ngërçi ndikon raportin e progresit

Tiranë, 12 Janar 2011 NOA/DW Arben Muka - Ambasadori hungarez, Sándor Molnari, vendi i të cilit ka presidencën e BE, shpreson që ngërçi politik në Shqipëri të zgjidhet para zgjedhjeve lokale. Aii thotë se ndryshe raporti i progresit do të jetë si në 2010.

Për ambasadorin hungarez në Tiranë, Sándor Molnari, motoja kryesore gjatë presidencës së radhës në BE të vendit të tij është “Një Evropë e fortë”. Sipas tij kjo do të thotë institucione të forta, shtete anëtare të forta, një politikë e përbashkët, kohezion dhe një eurozonë e fortë.

Synimi është të bëhet progres në të gjitha ato çështje politike, që konsiderohen si mjaft të rëndësishme për BE-në që përcaktojnë të ardhmen e Unionit, thotë ambasadori Sándor Molnari për DW-në.

“Nisur nga periudha e rimarrjes së vetes dhe përpjekjeve për rimëkëmbje, pas efekteve që shkaktoi kriza ekonomike vëmendje do të ketë pa diskutim kthimi i ekonomive të vendeve anëtare në treguesit e natyrshëm të zhvillimit ekonomik, që garantojnë krijimin e vendeve të reja të punës, në krijimin e mekanizmave që do të mbrojnë mënyrë të qëndrueshme eurozonën, si dhe për mbajtur në fokus një sërë problemesh prezente që lidhen me buxhetin, për forcimin e kontrollit mbi disiplinat fiskale etj. Në periudhën e presidencës hungareze do të nisë zbatimi i strategjisë së dhjetëvjeçarit të dytë të këtij shekulli, që si një referencë të veçantë ka zhvillimin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, që konsiderohen dhe si promotorë të zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të vendeve të reja të punës”.

Eurozonë e fortë dhe luftë kundër diskriminimit social

Ambasadori hungarez flet edhe për përpjekjet për të vijuar me angazhimin për zbutjen e çështjeve sociale, në kuadër të platformës evropiane në luftën kundër varfërisë. Integrimi social e kulturor i romëve në kontinent përbën një aspekt të rëndësishëm gjithashtu.

Gjatë presidencës hungareze pritet të organizohet një samit energjie dhe një tjetër mbi menaxhimin e ujërave në kuadër të rinovimit të politikave europiane etj.

Përsa i takon politikës së zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj, ambasadori hungarez në Shqipëri, Sándor Molnari, shprehet për DW se dyert mbeten të hapura.

“Por BE qëndron në pozicionin që të bëjë pranime për ato vende, që përmbushin kriteret. Pra, si të thuash gjithçka është në dorën e vendeve aspirante. Në këtë kuadër, çështje prioritare për presidencën tonë është mbyllja e negociatave me Kroacinë. Ndërkohë që është si një mesazh i qartë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë anëtare të BE-së: Nëse jeni gati të përmbushni të gjitha kriteret, atëherë padyshim ju mund të bashkoheni. Qysh në Samitin e 2004-s në Selanik është vendosur se rajoni do të jetë pjesë e BE-së, për aq sa të realizohen reformat e nevojshme, të plotësohen ato kritere, që në fakt i kanë përmbushur më parë vendet që tashmë janë anëtare të BE-së. Hungaria si vendi që mban këto gjashtë muaj presidencën e radhës në BE është totalisht e angazhuar për secilin vend aspirant, që ta mbështesë konkretisht në realizimin e hapave të mëtejshëm në procesin eurointegrues”.

Vazhdimi i ngërçit politik sjell të njëjtin raport progresi të KE

Ambasadori Sándor Molinari ndalet dhe në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. Sipas tij mesazhi nga raporti i progresit i nëntorit të vitit të kaluar është mëse i qartë: nëse Shqipëria do t'i zgjidhë 12 detyrat atëherë do t'i jepet statusi i vendit kandidat në BE. Të paktën gjysma e tyre lidhen me normalitetin politik, që forcat politike të punojnë brenda kuadrit të parlamentit, thotë për DW-në ambasadori Molinari.

“Unë shpresoj që ky ngërç politik të zgjidhet sa më shpejt, para zhvillimit të zgjedhjeve lokale. Në të kundërt do të kishim të njëjtën pamje dhe këtë tetor, kur reporterët e Komisionit Europian do të formulonin të njëjtin progres raport për zhvillimet ne vend si ai vitit 2010. Kjo nuk është në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Unë jam thellësisht i bindur se zgjidhja gjendet vetëm nëpërmjet dialogut mes forcave politike. Ashtu siç dhe kam bindjen se kultura e dialogut dhe e kompromisit nevojitet të bëhet pjesë e jetës politike. Interesat e vendit janë mbi ato të partive. Përderisa interesi i vendit është integrimi në BE, atëherë e kam të vështirë ta kuptoj se përse nuk ndërmerret hapi tjetër logjik për të arritur kompromisin për zgjidhje”.

Liberalizimi i vizave për Kosovën - krahas dialogut me Serbinë

Por çfarë mendon ambasadori Sándor Molinari për procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës? Sipas vlerësimeve të tij ky proces do të ecë paralel me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Sic dhe keni dëgjuar padyshim liberalizmi i vizave ka një aspekt shumë të rëndësishëm që ka lidhje me menaxhimin e kufijve. Në këtë drejtim gjithçka vendoset nga marrëveshjet në kuadër të bisedimeve Prishtinë – Beograd. Ato pres që të fillojnë shpejt, kuptohet pas krijimit të qeverisjes paszgjedhore në Kosovë. Çështjet e liberalizimit të vizave për qytetarët në Kosovë lidhen para së gjithash me negociatat që zhvillon Komisioni Europian me autoritetet atje dhe kur rezultati miratohet nga vendet anëtare”.

KOMENTE