English

Berisha: 12 kriteret e Raportit, deri në maj

Tiranë, 12 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Duke u mbështetur në 12 detyrimet e reja të Progres Raportit të BE-së, Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit që 12 objektivat të jenë udhërrëfyes për secilën ministri, që detyrimet të përmbushen para muajit maj. Ndërkohë kryeministri kërkoi që institucionet të përcaktojnë një kalendar konkret kohor, realist dhe të zbatueshëm për ndjekjen e detyrimeve, që vijnë nga analiza e opinionit të vitit 2010 dhe, për plotësimin 12 kritereve të reja.

Mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin analizoi hollësisht realizimin e masave të parashikuara në Progres Raportin e KE-së për vitin 2009 dhe detyrimet e parashikuara në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për vitin 2010, ndërkohë që gjatë mbledhjes u përcaktuan edhe detyrimet për vitin 2011, të cilat rrjedhin nga Raporti Analitik i Komisionit Evropian për vitin 2010 dhe dokumente të tjera strategjikë si MSA, PKZMSA, nën-komitetet e MSA-së.

Kryeministri Berisha u shpreh se stadi aktual kërkon që analizat të bëhen mbi bazën e kapitujve të Acquive.

Gjatë mbledhjes, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu bëri një paraqitje të realizimit në total, si dhe nga çdo institucion, të detyrimeve.

Sipas saj, gjatë vitit 2010 janë realizuar gjithsej nga 935 masa (iniciativa dhe aktivitete plot 411 masa (44 % ), 82 masa (8%) janë projekte afatgjata dhe se janë drejt përfundimit 442 masa (48 %).

Referuar këtyre të dhënave, ministrja Bregu u shpreh se “pritshmëria për të mbyllur këto masa të realizimit që janë në proces, është e madhe”.

Sipas saj masat ende të parealizuara përbëjnë vetëm 8 % të totalit, e në këtë kontekst, ministrja e Integrimit theksoi se këto masa kanë të bëjnë edhe me ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament.

Pas njohjes me realizimet e detyrimeve nga institucionet dhe agjencitë, pjesë të këtij Komiteti, Kryeministri Berisha u shpreh se realizimet në proces duhet të shpejtohen në çdo hap.

Shefi i qeverisë tha se edhe pse mazhoranca nuk ka 3/5 në Parlament, ajo mund të ndërmarrë çdo vendim, çdo ligj të thjeshtë, për të plotësuar e për t’iu afruar sa më shumë standardit.

Më tej kryeministri u ndal tek rekomandimet, për reformën e sistemit gjyqësor duke e cilësuar atë jashtëzakonisht e rëndësishme.

Sa i përket imunitetit të deputetëve, Kryeministri u shpreh se “Parlamenti do të zbatojë modelin gjerman e se ky ndryshim mund të inkuadrohet në rregulloren e Parlamentit dhe t’i jepet vlerë ligjore deklaratës personale të deputetit.

Shefi i mazhorancës duke folur për administratën civile”, tha se një nga obligimet e qeverisë do të jetë hapja e universiteti për Administratën Publike, ndërsa për luftën kundër korrupsionit, ai nëvizoi se kjo luftë duhet të njohë dimensione të reja.

Sa i përket të drejtave sociale të fëmijëve romë, Kryeministri sugjeroi që për fëmijët e tyre të ofrohet edhe ushqim nëpër shkolla, ndërsa për familjet e tyre të shihet mundësia për t’i ndihmuar me anë të politikave të ndryshme ekonomike, si mikrokredi në mënyrë që ata të orientohen për krijimin e ndonjë biznesi apo ekonomie familjare.

Në përfundim të diskutimeve, Kryeministri kërkoi që 12 objektivat kryesore të jenë udhërrëfyes për secilën ministri, që detyrimet të përmbushen para muajit maj, duke shprehur bindjen se realizimi i këtyre objektivave është realisht i mundshëm.

mit/NOA

KOMENTE