Tiranë, 12 Janar, NOA - Projekti i ullirit dhe rritja e bimëve frutore si shega apo lajthia kanë qenë kryefjala e deklaratës së mbajtur nga kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë. E mbajtur vetëm një ditë pas skandalit të publikuar në emisionin “Fiks Fare” përmes një videoje që paraqiste një bisedë mes zv/kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit Dritan Prifti, mbledhja e qeverisë, të paktën deri tani, nuk e ka prekur fare atë si çështje, duke ia dedikuar kohën e fjalimit të kreut të saj Sali Berisha, tematikës së mbjelljes së pemëve frutore në vend. Ka një prirje në të gjithë vendin për të shtuar rrënjët e ullirit dhe kjo është një gjë pozitive për ekonominë vendase, ishte argumenti kryesor për mbledhjen e sotme të qeverisë nga kryeministri Berisha. Gjatë mbledhjes së qeverisë ai asnjëherë nuk e përmendi përpara mediave, skandalin e dyshuar të Ilir Metës dhe Dritan Priftit. n.e/NOA