Tiranë, 11 janar 2011 NOA – Drejtorja e lartë e Bankës Botërore, Znj. Ngozi Okonjo-Iweala sot përfundoi vizitën e saj tre-ditore në Shqipëri, në kuadër të udhëtimit të saj në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i vizitës së saj të parë ishte të theksonte rëndësinë e Programit të Ri të Zhvillimit të Shqipërisë si edhe të ripërsëriste mbështetjen e Bankës për Qeverinë mbeshteur ne Strategjinë e Partneritetit per Vendin. Përveç kësaj, Znj Ngozi Okonjo-Iweala shprehu solidaritetin e Bankës me njerëzit e prekur nga përmbytjet e mëdha të kohëve të fundit në zonën e Shkodrës dhe diskutoi mundësitë për mbështetje të mëtejshme në të ardhmen për zbutjen e rreziqeve të përmbytjeve të tjera që mund të ndodhin. Znj Okonjo-Iweala u takua me Kryeministrin Sali Berisha, anëtarë të kabinetit, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, udhëheqësin e opozitës, z. Edi Rama, dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sektorit privat. Diskutimet gjatë këtyre takimeve u përqendruan në zbatimin e Strategjisë së Re të Partneritetit me Vendin (SRPV) dhe te sfidat me të cilat përballet Shqipëria për të rifituar shkallën e saj të lartë të zhvillimit në botën e pas-krizës. Gjatë dekadës së kaluar, Shqipëria pati një nga shkallët më të larta të rritjes së PPB-së në Evropë. Si rrjedhojë, Shqipëria tani i takon grupit të vendeve me të ardhura të mesme. Përpjekjet e qeverive të njëpasnjëshme kanë çuar në një ulje të madhe të varfërisë. Përqindja e popullsisë në varfëri absolute ra nga 25 për qind në 2002, në 12 për qind në 2008. Pas këtyre shifrave, qëndrojnë 200 000 njerëz që kanë një shans më të mirë për të realizuar shpresat dhe mundësitë e tyre. Shqipëria gjithashtu e ka përballuar relativisht mirë ndikimin e krizës globale ekonomike dhe financiare, duke arritur një rritje të vlerësuar me rreth për qind në 2010, ndërsa shumë prej fqinjëve të saj vazhduan rënien. Megjithatë, gjatë disa viteve të ardhshme, rritja globale ka të ngjarë të jetë e ngadaltë dhe gjetja dhe kushtet e kapitalit ndërkombëtar po ashtu do të jenë të vështira. Prandaj, është me rëndësi që Shqipëria të vazhdojë politikat e saj të kujdesshme fiskale të së kaluarës dhe të sigurojë qëndrueshmëri fiskale. Kjo do të thotë që t’i përmbahet kuadrit buxhetor afatmesëm, i cili e mban deficitin dhe borxhin e sektorit publik me tendencë rënieje. Në këto takime, u diskutua gjithashtu edhe përmirësimi i mëtejshëm i mbrojtjes sociale dhe reformat e financimit të shëndetësisë për mbrojtjen e familjeve më të varfra në kushtet e një buxheti të shtrënguar qeveritar. “Për të qëndruar në ballë në një botë gjithnjë e më të integruar, tha Drejtorja e Lartë e Bankës, Znj Ngozi Okonjo-Iwe, Shqipërisë do t’i duhet një strategji më e sofistikuar që të ndërtoje themelin për aftësi konkurruese dhe qëndrueshmëri afatgjatë. Disa nga elementët kyç të kësaj strategjie do të ishin reforma të mëtejshme ne arsim, teknologji të informacionit dhe komunikimit, dhe sektori energjetik. Gjithashtu është me rëndësi të përmirësohet mjedisi që mundëson zhvillimin e biznesit, duke përfshirë të drejta të sigurta pronësie dhe zbatimin e efektshëm dhe transparent të ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese”. Në fjalën e saj përshëndetëse përpara pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve jo publike, znj. Okonjo-Iwealau përqendrua kryesisht në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor për t’iu përgjigjur krizës. Në ditën e fundit të vizitës së saj, Znj Okonjo-Iweala vizitoi zonen e Porto Romanos, në afërsi të Durrësit, ku rreziqet mjedisore dhe shëndetësore të një ish uzine kimike janë duke u eliminuar me ndihmën e Bankës Botërore dhe Qeverisë Holandeze në kuadër të Projektit të Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare. Deri më sot, 65% e punës riparuese është kryer dhe pastrimi i të gjithë zones pritet të përfundojnë deri më maj 2011. Në Komunën Udenisht të rrethit të Pogradecit, ajo vizitoi një parcelë të pyllëzuar dhe një plantacion me pemë frutore dhe u takua me përfituesit e Projektit për Zhvillimin e Burimeve Natyrore, të financuar nga Banka Botërore, Global Environmental Facility, dhe Qeveria Suedeze. Investimet në këtë komunë përfaqësojnë 63 për qind të pyjeve dhe kullotave dhe 37 për qind të tokave bujqësore të përmirësuara. Si pasojë, ne kete komune janë të punësuar 204 persona qe merren me përmirësimin e pyjeve, dhe deri tani, kanë përfituar 200 familje. “Banka Botërore është shumë krenare që punon së bashku me Qeverinë dhe komunitetet vendore për zbatimin e këtyre projekteve të rëndësishme, të cilët në një vend pastrojnë dhe përmirësojnë kushtet e jetës së njerëzve, ndërsa në një vend tjetër, krijojnë vende pune në nivel lokal” deklaroi znj. Okonjo-Iweala. Strategjia e re e Bankës Botërore e Partneritetit me Bankën Botërore, e miratuar më korrik 2010, përfshin financimin nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) deri më 275 milionë dollarë amerikanë dhe nga IFC-ja, deri më 120-150 milione dollarë amerikanë në një periudhë katër vjeçare. Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore më 1991. Qysh nga ajo kohë, 68 projekte, që arrijnë shumën e përgjithshme prej 1.4 miliardë dollarë amerikanë janë mbështetur nga IDA dhe IBRD, ndërsa 10 projekte me një shumë totale prej 185 milion dollarë amerikanë, nga IFC-ja. Aktualisht, në Shqipëri, ka 15 projekte në zbatim në sektorin social, shëndetësi, arsim, burime natyrore, ujë dhe energjetikë, infrastrukturë vendore, dhe menaxhimit të sektorit publik, të cilët po e ndihmojnë Shqipërinë të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social dhe në rrugën drejt integrimit evropian të saj. e.r/NOA