English

Ferar: Padi për ish-prokuroren, Ermonela Felaj

Tiranë, 12 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas akuzave të deputetes socialiste Ermonela Felaj se Kompania Ferar është privilegjuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli në tenderin për koncesionet e hidrocentraleve mbi lumin e Bënçës, sot Kompania Ferar ka depozituar dy padi, një civile dhe një penale pranë prokurorisë, ndaj deputetes Felaj. Nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Kompania Ferar sqaroi se pretendimi i selisë rozë se Ferar ka qenë e preferuara e METE-s në garën koncesionare për ngritjen e HEC-it në Bënçë në kurriz të një kompanie italiane, është një mashtrim i turpshëm.

“E vërteta është se Ferar ka aplikuar dhe ka dorëzuar projektet e saj që në vitin 2006, përpara se të bëehej ligji per koncesionet dhe shumë përpara se te fillonte zbatimi i ketyre praktikave, dhe më herët se sa nje kompani italiane te paraqiste interes per te ndërtuar HEC atje. Nga ana tjeter, duhet sqaruar se firma italiane, të cilës i bën apologji zonja Felaj, është ndërkohë fituese, pasi bëhej fjalë për ngritjen e dy HEC-eve në dy kuota të ndryshme të lumit të Bençës, e kesisoj kompania jonë nuk ka patur asnjë përplasje me atë italiane, pasi e vetmja gjë që na lidh është biznesi i ngjashëm dhe lumi i përbashkët”, shpjegoi përfaqësuesi i Kompanisë Ferar.

Ai theksoi se pretendimi i Felaj është i gënjeshtërt, pasi sikundër tha ai, kompania Ferar ka marrë 5 pikë gjatë vlerësimit që ka bërë METE, ndërsa ajo italiane 8 pikë, gjë që nxjerr në fakt bllof deputeten Felaj që flet për preferencë ndaj Ferar.

Në vijim përfaqësuesi i Ferar theksoi se “një tjetër spekullim i zonjës Felaj feks teksa ajo ka zbuluar se kush fshihet pas Ferar, duke aluduar se qenka bashkëshorti i deputetes Rajmonda Bulku”.

Sipas tij në kompaninë Ferar fshihen investitorë të ndershëm dhe projekte që bëhen në bashkëpunim me Austrinë, andaj ai e ftoi deputeten Felaj të vizitojë zyrat e kompanisë dhe kantieret e Ferar e të njihet vetë me ta.

“Shprehim keqardhjen e thelle se si opozita dhe perfaqesuesja e saj, jo vetem se nuk jane ne krah te biznesit, siç do te ishte e natyrshme, por ne kete rast e godasin ate me mjete shume te uleta. Eshte a pafalshme se si nje ligjvenese, per me teper nje ish-prokurore, e cila do te duhej te kishte nje vlerësim per rendesine e fakteve dhe provave, ben krejt te kunderten. Zonja Felaj duhej ta dinte se ç’ fare eshte shpifja dhe demtimi material ndaj nje kompanie, por edhe nese e ka harruar ne do t’i bejme nje kujtese duke e sfiduar prane organeve të drejtesise. Nese shpifja eshte biznesi i zonjes Felaj, biznesi i firmes Ferar eshte teresisht ligjor dhe i verifikueshem”, përfundoi deklaratën përfaqësuesi i firmës Ferar.

mit/NOA

KOMENTE