English

“Hiri Vullkanik”, ndër më të preferuarit e brezit të ri

Tiranë, 12 Janar 2011 - Romani më i ri i gazetarit Blendi Fevziut, “Hiri i Villkanit”, i vlerësuar si një nga më të suksesshmit e fundvitit 2010, ka ngjallur jo pak kureshtje tek lexuesi e veçanërisht tek studentët. Në një bashkëbisedim me studentët e universitetit, Marin Barleti, gazetari Blendi Fevziu ka folur mbi idenë e këtij romani, si i treti libër që ai boton në zhanrin e letërsisë artistike. Ai e ka vlerësuar këtë roman si një mundësi për të vendosur një komunikim më të afërt me këtë zhanër. Blendi Fevziu u shpreh: “Është temë e këndshme, por besoj se ka brenda gjithë atmosferën e Shqipërisë së viteve ’90-’91-’92, por edhe situatën aktuale. Pra është një lloj drame, romance e të gjithë këtij transformimi shqiptar, ku futet; emigracioni, ikja, mënyra e mbijetesës, por edhe një lloj dashurie që vazhdon të mbetet eterne”. Fevziu shprehet se ky libër u dedikohet mbi të gjitha atyre bashkëmoshatarëve të tij, që patën të njëjtat ëndrra, por fate të ndryshme. Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese “Dudaj”, thotë së vepra më e fundit e opinionistit Fevziu është një gjë e re, e papritur, pasi letërsia në këtë rast i shërben historisë. “Hiri i Vullkanit” na sjell në kujtesë kronikat televizive të një viti më parë për ngjarjen e jashtëzakonshme të pushtimit të qiejve të Europës nga hiri i vullkanit islandez. Ky moment shërbeu si frymëzim për autorin Blendi Fevziu i cili 11 faqet e para të një tregimi të shkruara gjatë një udhëtimi nga Brukseli në Tiranë, i shndërroi në një libër, që në pak ditë u rendit ndër më të shiturit. Blendi Fevziu pohon për mediat: “Ka qenë një rastësi, ndërsa kthehesha nga Brukseli, në një moment që ishte bllokuar gjithë Europa nga hiri vullkanik i Islandës. Ishte shumë interesante sepse në momentin që tentova të gjeja një mundesi kthimi me avion, me tren, me autobus, të gjitha linjat ishin të bllokuara. Dhe më lindi ideja sesi dy njerëz mund të gjendeshin befas, të ndarë nga një dashuri, nga diçka e papritur”. Subjekti i librit nuk është kryekëput një histori dashurie që rizgjohet pas shumë vitesh, ndaj Fevziu nuk e ka shmangur dot penën gazetareske. Historia e romanit “Hiri I Vullkanit”, rrëfen një histori dashurie e cila rizgjohet fare papritur pas 20 vitesh. Në faqet e tij lexuesi gjen gjithashtu episode që flasin për realitetin shqiptar në vitet 1990, por edhe në ditët e sotme. “Hiri Vullkanik” është libri i tetë i gazetarit Blendi Fevziu.

KOMENTE