English

Meta dorëzon imunitetin: Çimkat s’më pickojnë dot

Tiranë, 12 janar 2011, NOA, Update - Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka dorëzuar sot imunitetin parlamentar duke i hapur kështu udhën hetimit për korrupsion, të nisur nga prokuroria pas publikimit të videos që shkoi publikun, ku flitej për afera korruptive mes zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, një video e regjistruar në zyrën e këtij të fundit kur ky ishte ministër i Ekonomisë, ndërsa meta ish-minstër i Punëve të Jashtme.

Pasi ka njoftuar në një konferencë të posaçme lënien e imunitetit të deputetit, zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi se është i hapur për hetimet dhe zbardhjen e kasetës së transmetuar, të cilën ai e cilësoi si një përgjim të pështirë. Ministri i Ekonomisë, duke komunikuar me gazetarët theksoi sakaq se nuk mund të shqetësohet nga asnjë çimkë dhe aq më tepër nga një ekip çimkash, sikundër vlerësoi ai ata që e gatuan këtë montazh të fëlliqur, duke iu përgjigjur dhe kryesocialistit Edi Rama, të cilin e akuzoi si ideator të përgjimit, se është dakord të japë dorëheqjen nga qeveria e koalicionit, por vetëm në 28 qershor të vitit 2013.

Më tej mund të lexoni deklaratën e plotë të zëvendëskryeministrit Ilir Meta si dhe përgjigjet për pyetjet e gazetarëve gjatë konferencës së sotme për shtyp.

Në drejtim të transparencës, aq më tepër në këtë Ministri ku ka nevojë të thellohet më tej transparenca në të ardhmen, dua t’ju bëj të ditur së pari juve dhe opinionit publik lidhur me letrën time, me njoftimin tim zyrtar Kryetares së Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli, ku për të konkretizuar angazhimin tim si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, dhe në dobi të transparencës ndaj çdo akuze për korrupsion dhe shkelje të ligjit, ju njoftoj zyrtarisht për lënien njëherë e përgjithmonë të imunitetit tim, si shprehje e vullnetit politik për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor.

Sikurse jeni njohur për aq sa keni patur mundësi dhe interes me një përgjim të neveritshëm ndaj personit tim, i realizuar gati një vit më parë kur kam qenë në pozicionin e Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, pikërisht në zyrën e Ministrit në këtë ministri, dhe ndoshta një konferencë tjetër më plotësuese kemi vendosur ta zhvillojmë pikërisht te kolltukët, pasi sot nuk kishte kohë për televizionet që janë në lidhje direkte, dua t’ju bëj të qartë se ky përgjim i pështirë, si vetë organizatorët dhe trumbetuesit e tij, është kryekëput një blof i shëmtuar politik dhe moral, i cili është bërë në kuadër të shantazheve nga krimi i organizuar ndaj personit tim për shkak të detyrave të mia, e sidomos të asaj si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, një forcë e rëndësishme dhe përcaktuese e koalicionit për Integrim.

Më konkretisht, ky përgjim vërtitet rreth një ndërhyrjeje të realizuar gjoja nga personi im për interes të një kompanie të caktuar lidhur me një tender për dhënien me konçension të hidrocentralit Egnatia-Shushica në lumin e Gostimës. Dua t’ju bëj të ditur se ky tender është hapur në këtë Ministri që në 30 prill të vitit 2008, në të cilin kanë marrë pjesë tre bashkime shoqërish të ndryshme, pra tre konkurrentë.

Kjo procedurë tenderimi dhe vlerësimi për dy vjet ka qenë e bllokuar, për arsye se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i Ministrisë kishte skualifikuar një nga konkurrentët, për arsye të konfliktit të interesit. Përfaqësuesi i kësaj kompanie, i cili përmendet edhe në këtë përgjim dhe ledhatohet me emrin Gimi, në mënyrë zyrtare, pasi ka konsumuar pretendimet në emër të kompanisë në këtë Ministri, pasi ka vërejtur zvarritje dhe mos protokollim të vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila kërkonte që kjo kompani të merrte pjesë në garë pasi ishte një gjyq që ishte fituar, duke hasur në vështirësi në këtë drejtim në këtë Ministri, është drejtuar te unë si Zv.Kryeministër, por edhe si kryetari i LSI, për shkak se ministri i asaj kohe ishte përfaqësues i kësaj force politike, me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, që kërkonte që kjo kompani të kualifikohej dhe të vlerësohej, duke ngritur pretendimin se të gjitha këto zvarritje ishin të padrejta dhe të pandershme, dhe ishin të qëllimshme në dëm të kësaj kompanie. Dhe unë thjesht këtë shqetësim dhe këtë problem ia kam pozuar ish-ministrit, duke kërkuar që thjesht të respektohej vendimi i Gjykatës së Apelit.

Lidhur me këtë çështje dua t’ju them se ka një fakt që asgjëson totalisht të gjithë këtë montim të pështirë politik dhe mafioz, i cili ka të bëjë me faktin se në fillim të shtatorit Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëhet z. Ilir Meta dhe kjo çështje, për këtë hidrocentral, pra ky tender nuk kishte përfunduar së vlerësuar dhe së shpalluri fituesi, natyrisht për shkak të respektimit të vendimit të Gjykatës, kompania në fjalë, për të cilën pretendohet se ka patur një përpjekje për ta favorizuar nga ana ime, është vlerësuar duke respektuar vendimin e Gjykatës së Apelit, por është skualifikuar për arsye të kritereve ekonomike dhe pikërisht ky është vendimi i 25 tetorit të këtij viti, ku Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka vendosur skualifikimin e bashkimit të përkohshëm të shoqërive, nuk po i përmend të gjitha emrat për arsye etike, por ky dokument do të jetë në dispozicion të prokurorisë dhe të gjithë institucioneve të ligjit, dhe ka kualifikuar në vend të parë një bashkim tjetër të përkohshëm, të cilit prapë nuk po ja përmend emrin. Nuk po ja përmend emrin sepse kompania në fjalë që është skualifikuar, duke qenë e pakënaqur, sipas saj, me vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është ankuar në një Gjykatë tjetër, tek Komisioni i Prokurimit Publik, duke pretenduar që skualifikimi, tani për arsye ekonomike, është i padrejtë, sipas saj. Ja ku është letra e drejtuar z. Edi Spaho, kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, nga titullari i Ministrisë, Ilir Meta, pas kërkesës së këtij të fundit për tu njohur edhe njëherë me qëndrimin e titullarit lidhur me pretendimin e kompanisë së skualifikuar.

Kjo letër është totalisht në mbështetje të vlerësimit të Komisionit të Ofertave në ministri, ku ministër është Ilir Meta, sepse ka qenë një vendim i tyre, tërësisht objektiv, profesional dhe në respekt të ligjit, edhe sipas gjykimit tim, por natyrisht që ky nuk është i formës së prerë, sepse ka edhe instanca të tjera që gjykojnë të pavarura nga qeveria dhe nga Ministria e Ekonomisë.

E bëra këtë sqarim të hollësishëm dhe të gjitha këto dokumente do t’ia vëmë në dispozicion në radhë të parë Prokurorisë së Përgjithshme, së cilës unë i kërkoj të bëj hetimin për këto akuza dhe për këtë përgjim të shëmtuar, dhe për të gjitha ato montazhe dhe manipulime të qëllimshme që janë bërë jo thjesht për të denigruar në mënyrë të pamoralshme, në mënyrë të pandershme, në mënyrë kriminale, në mënyrë tinzare, në mënyrën më jo njerëzore, por që një standard i tillë i pështirë që Edi Rama kërkon të sjellë në jetën politike dhe në luftën politike të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Kjo e ashtuquajtur kasetë, e dini dhe ju sepse ka shkruajtur gazeta Tema që do të dilte një çudi e paparë, ka shkruajtur dhe një gazetë tjetër që nuk po ia përmend emrin, etj, kjo është përdorur thjesht për të bërë shantazhe, për të më ulur mua në një pazar politik, në një kompromis politik me Edi Ramën dhe me krimin e organizuar që e drejton Edi Rama, të cilin unë e kam bërë të qartë edhe në fjalën time të fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Unë kam refuzuar me neveri çdo lloj shantazhi dhe çdo lloj bashkëpunimi me shantazhe të tilla të fëlliqura, dhe këtë do ta bëj gjithmonë, duke qenë i bindur jo vetëm në integritetin tim, por duke qenë i bindur se kompromis mund të bëhet me këdo për interes të vendit, për interes të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe qëllimeve të saj, por kompromis me krimin e organizuar nuk ka dhe nuk do të ketë as sot dhe asnjëherë në të ardhmen nga Ilir Meta dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Z. Meta, a do të jepni dorëheqjen nga posti i Ministrit të Ekonomisë dhe a do të ngrini padi në lidhje me akuzat, qoftë edhe për televizionin që e publikoi apo dhe për vetë z. Prifti?

Besoj se veprimet e mia janë të kristalta. E para, që sot i është nisur Znj. Topalli deklarimi im zyrtar për lënien e imunitetit. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se në rast se Prokuroria dëshiron të hetojë për këto lloj akuzash, për akuza të tjera, nuk do të ketë nevojë Kryetarja e Kuvendit të mbledhë as Komision Rregulloresh dhe Imuniteti, dhe as Parlament për të kërkuar sqarime apo për t’i hequr imunitetin Ilir Metës.

Unë e kam të hequr imunitetin sot e përgjithmonë, edhe për 30-40 vitet e ardhshme si parlamentar dhe gjithmonë kam kërkuar, unë dhe LSI-ja, që të gjithë deputetët, në radhë të parë ata të opozitës sepse ata nuk e kanë pasur vullnetin, të bashkohemi të ndryshojmë ligjin dhe të bëjmë edhe ndryshimin në Kushtetutë për çështjen e imunitetit, që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe përpara shoqërisë sonë.

Për dorëheqjen time, unë do ta jap dorëheqjen. E kam premtuar. Por në 28 qershor të 2013, sepse nuk mund të qëndroj në këto funksione përtej mandatit legjitim të kësaj legjislature. Kështu që të gjithë duhet të kenë durim deri në 28 qershor të vitit 2013.

Z. Meta, a ka pasur ndonjë reagim të Kryeministrit gjatë ditës së djeshme pas publikimit të kasetës e deri më sot? Ju e nisët konferencën duke thënë se Ministria e Ekonomisë ka nevojë për më shumë transparencë në të ardhmen. Çdo të thotë kjo?

Luftë me tolerencë zero ndaj korrupsionit, ndaj krimit dhe ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me shkeljen e ligjit. Edhe kjo kasetë, edhe ky përgjim i shëmtuar, është bërë në kushtet kur një çimkë ka menduar se në momentin që do të mund të lëvizë, për çfarë do lloj arsyesh, të bëjë një shantazh, natyrisht jo për të luftuar korrupsion, por për të mbrojtur korrupsionin dhe aferat e ndyra.

Së dyti, të jeni të sigurt se kjo Ministri do të bëhet një shembull i transparencës, ashtu sikurse edhe unë jam sot para jush me fakte, me dokumente dhe me vullnet të kristaltë për të bashkëpunuar me organet e ligjit, sikurse e kam bërë gjithmonë, dhe në çdo kohë. Sulme politike, lojëra politike kundër meje, akuza, ka patur dhe do të ketë edhe në 30-40 vitet e ardhshme dhe kjo është normale.

Por unë jam këtu për t’i qëndruar me transparencë dhe me integritet këtyre sulmeve, të cilat janë thjesht politike.

Përsa i takon Kryeministrit, prej disa javësh unë e kam vënë në dijeni Kryeministrin lidhur me shantazhet që më janë bërë, përmes gjoja një përgjimi, për të bashkëpunuar me organizatorët e gjithë kësaj historie mafioze dhe banale.

Në kasetën e transmetuar mbrëmë përmendet një shifër 700. Çfarë është kjo?

Unë nuk e di se çfarë është ajo 700 sepse unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për interpretimin që i bëhet buzëve të mia dhe as për përkthimin nga shqipja në shqip, dhe për gjithçka që pretendohet nga organizatorët, nga retusherët e kësaj kasete të pështirë. Unë kam kërkuar, kërkova prapë dhe do të kërkojë gjithmonë që të hetohet nga prokuroria.

Por, sot në mëngjes kam marr një mesazh nga personi, të cilit i përmendet emri edhe në këtë bisedë e që ka qenë këshilltar i kompanisë në fjalë, ku ai thotë: “Ju kam thënë që dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga zvarritja dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës është 700 mijë euro”.

Një ditë më parë nga zyrat e LSI-së është thënë se është montazh. Ju thoni që është një përgjim i shëmtuar. Cila është e vërteta?

Janë të gjitha bashkë, sepse absolutisht që prej disa javësh është punuar, dhe jam i bindur që kjo do të konfirmohet dhe nga ekspertët në të ardhmen, mbi një përgjim të shëmtuar. Ajo është provuar. Shikojeni vetë. Shikoni ato hapje e buzëve. Ato përkthimet që bëhen nga shqipja në shqip, aty nuk ka asnjë gjë. Dhe tjetra, pretenduesit e këtij përgjimi që më implikon mua, e kanë ata për detyrë që ta çojnë në Prokurori dhe unë që nga ky moment jam i gatshëm të bashkëpunoj me Prokurorinë dhe me çdo organ të zbatimit të ligjit.

Z. Meta, duke qenë se na sqaruar për shifrën 700, a mund të na thoni dhe për shifrën 7 për qind, e cila përmendet në kasetë?

Këtë sqarim duhet ta japë Prokuroria. Nuk kam asnjë sqarim për asnjë lloj interpretimi që i bëhet buzëve të mia apo buzëve të çimkës.

Çdo element i këtij përgjimi të shkojë në dispozicion të Prokurorisë dhe unë jam shumë i hapur për të qenë shumë transparent, sikurse jam me ju sot këtu, me Prokurorinë dhe me çdo organ të zbatimit të ligjit. Ndërsa për këto akuza se pse kam kërkuar si Kryetar i LSI për të ndihmuar për tu punësuar njerëz apo elementë të caktuar nga LSI-ja, unë jam kryetar i LSI-së dhe është detyra ime që të ndihmoj sa më shumë aktivistë, simpatizantë që të punësohen dhe këtu nuk ka asnjë gjë të paligjshme dhe asnjë gjë të pandershme. Unë që kur jam angazhuar në politikë, që ditën e parë, jam përpjekur të bëj mirë. Jam përpjekur të ndihmoj jo vetëm simpatizantët e mi, të PS-së dikur, të LSI-së sot, por çdo qytetar dhe çdo njeri, i cili mendon se ka një të drejtë dhe e drejta e tij nuk shkel ligjet dhe nuk shkel rregullat në këtë vend. Dhe do të vazhdoj të bëj mirë gjithë jetën.

Z. Meta, kush mendoni se fshihet pas këtij përgjimi?

Ju e dini më mirë se unë. Mos më pyesni për gjëra që i dini më mirë se unë.

Z. Meta, a do të ngrini padi ndaj z. Prifti?

Nuk kam asnjë sekondë për të humbur me çimka.

Z. Meta, lënia vullnetare e imunitetit nuk njihet ligjërisht. Çfarë do të bëni?

Më duket se jam i qartë. Nuk ka vlerë ligjore jo për fajin tim, po se nuk do opozita që të lërë imunitetet dhe se luftën kundër korrupsionit e ka thjesht një blof politik. Por, kjo letër zyrtare drejtues Kryetares së Kuvendit do të thotë se Kryetarja e Kuvendit nuk ka nevojë të mbledhë as Komision Rregulloreje dhe Imuniteti, në rast se ka ndonjë akuzë apo ndonjë kërkesë në drejtimin tim nga ana e Prokurorisë apo organ tjetër i zbatimit të ligjit dhe që unë jam shumë i hapur për të bashkëpunuar pa mbajtur asnjë lloj barriere me asnjë institucion të zbatimit të ligjit në këtë vend. Më duket se deklarimet e mia ishin shumë të qarta. Ishin shumë të hapura. Ishin shumë transparente dhe kështu do të jenë gjithmonë.

Z. Meta, a mbani mend të keni përmendur shifrën 7 për qind në bisedën e bërë?

Të jeni të sigurt ju se gjithçka do të zbardhet nga Prokuroria. Në mos sot, do të zbardhet nesër, kështu që mos kini asnjë shqetësim. Dhe cilido që mund të ketë marrë ndonjë garanci për tu mbrojtur për veprime të paligjshme apo kriminale të jetë i sigurt që nuk do të ketë asnjë lloj garancie dhe asnjë lloj mbrojtje në këtë vend. Interpretimin e buzëve të mia ta bëj kush të dojë.

Përkthimin tim nga shqipja në shqip ta bëj kush të dojë. Unë jam i kristaltë dhe absolutisht që nuk mund të shqetësohem nga asnjë çimkë dhe aq më tepër nga një ekip çimkash që është marrë me këtë montazh të fëlliqur.

mit/NOA

KOMENTE