Tiranë, 12 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Ndaj videos me protagonistë Dritan Priftin dhe zëvendëskryeministrin Ilir Meta, e regjistruar në zyrën e Priftit kur ky mbante portofolin e ministrit të METE-s, ku dy protagonistët po diskutonin për disa koncesione HEC-esh dhe përfitime korruptive, ka reaguar sot edhe lëvizja G99.
Kjo organizate kërkoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Meta, si aktin përgjegjësie pas transmetimit të videos skandaloze në emisionin investigativ, Fiks-Fare. Kryetari i G99, Ervin Mete tha gjatë një konference të posaçme për shtyp se “Sot, shqiptarët ndihen të poshtëruar nga zëvendëskryeministri i tyre. Ndihen të poshtëruar nga plaçkitja që i bëhet këtij vendi e nga arroganca me të cilën nuk jepet dorëheqje”.
Sipas Metes, qeveria Berisha-Meta nuk është as qeveria e integrimit e as qeveria e duarve të pastra, por është qeveri e turpit.
Ndërkohë sipas tij, Ilir Meta nuk meriton të jetë zëvendëskryeministër asnjë sekondë më tepër, duke argumentuar se dorëheqja do të ishte akti më minimal për marrjen përsipër të përgjegjësisë morale për videon në fjalë.
Në këtë kontekst, kreu i G99 solli shembullin e ish-kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader i cili tashmë po hetohet për korrupsion gjatë periudhës kur drejtonte qeverinë. “Kryeministri i Malit të Zi dha dorëheqjen për shkak të akuzave për korrupsion. Ky është standarti i integrimit. Zëvendëskryeministri ynë duhet ta kishte dhënë dorëheqjen tashmë, pasi ai ka humbur çdo të drejtë morale për të qeverisur në këtë vend”, tha Mete.
mit/NOA