English

Rama: “I holli e i trashi”, pse janë tok Berisha-Meta

Tiranë, 12 janar 2001, NOA/ Irma Toptani – Për kryesocialistin Rama, ajo që populli pa mbrëmë u bë shumëfish më e rëndë sot duke dëgjuar Metën dhe Saliun. Por sot, ndodhi diçka edhe më e rëndë, sepse botërisht, ai që duhet të largohej dhe ai që duhet ta largonte, njëri zëvendës e tjetri kryeministër, i dhanë popullit provën tronditëse se pse janë bërë bashkë, pse rrinë bashkë, e madje, pse duan të vazhdojnë të rrinë bashke në koalicionin që kanë krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama mbajti një fjalë të gjatë sot para mediave. Ai vlerësoi se sot, “të dy bashkë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t’u tregonin shqiptarëve, se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë, duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkisin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë”. Pikërisht pse ia morën, dhe duan t’ia marrin përsëri votat duke mos e lënë të zgjedhë, këta kusarë e matrapazë, i bëjnë përditë e më shumë popullit shqiptar një karshillëk që s’ia kanë bërë dot as pushtuesit, duke e gënjyer, mashtruar, fyer, tallur, shkelur me këmbë si askund sot në botën ku jetojmë, - komentoi z.Rama. Sipas tij, “mbrëmë u pa e u dëgjua, botërisht, një episod prej pak minutash, lidhur me lumin e me llumin e korrupsionit të Saliut, Ilirit e Rul-ave të tjerë të këtij pushteti, që prej vitesh, ka bërë e po bën kërdinë me HEC-et e me TEC-et, me naftën e me bregdetin, me minierat e me pronat e patundshme të shtetit, me çdo pasuri të Shqipërisë e të shqiptarëve”. “Por sot, - vijoi z.Rama, - ndodhi diçka edhe më e rëndë, sepse botërisht, ai që duhet të largohej dhe ai që duhet ta largonte, njëri zëvendës e tjetri kryeministër, i dhanë popullit provën tronditëse se pse janë bërë bashkë, pse rrinë bashkë, e madje, pse duan të vazhdojnë të rrinë bashke në koalicionin që kanë krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë”. Sipas z.Rama, “është e padrejtë të thuhet se në atë episod të neveritshëm matrapazllëku ishte vetëm Ilir Meta” dhe shtoi se “kjo mund të thuhej mbrëmë”. Kurse sot sipas Ramës, mund të thuhet pa asnjë dyshim se aty ishte edhe Saliu dora vetë. I cili mesa duket, në këtë çift qeveritar të të hollit me të trashin, paska rolin e atij që mban popullin me muhabet duke folur për kumbulla të kuqe e për bllokun, sa në qeveri e sa në parlament, në ndërkohë që tjetri gjezdiska me bllok në dorë, nga ministria në ministri, për të bërë rrush e kumbulla lekët e shqiptarëve dhe leckosur e nxjerrë Shqipërinë me këpucë të kuqe siç thotë populli. “Flet vetë edhe fakti që së fundi kanë vendosur të na sjellin edhe plehra nga jashtë, madje plehra toksike, sepse mesa duket mendojnë që, derisa mban ata të dy në kurriz, Shqipëria mund të mbaka edhe mijëra e miliona ton plehra të importuara përveç atyre që ka me bollëk jashtë çdo kontrolli”, - shfrytëzoi rastin z.Rama për të përmendur të tjera afera të aluduara nga opozita këto ditë. Për ne episodi i turpshëm që ka tronditur mbrëmë vendin është thjesht një provë më shumë, në malin e provave, fakteve e grupfakteve të dokumentuara të keqqeverisjes së Saliut e Metës, të cilat i kemi denoncuar e do të vazhdojmë t’i denoncojmë publikisht, pa u ndalur përpara asgjëje dhe pa u zmbrapsur asnjë fije nga furia e makinerisë qeveritare të baltës, - tha Rama. Por, ndjej detyrimin qytetar ta falënderoj publikisht institucionin e pavarur e të lirë të quajtur “Fiks Fare”, i cili, ndër të paktët ishuj mediatik e të papushtuar prej gallatës e matrapazllëkut të të hollit me të trashin, provoi me zë e me figurë para shqiptarëve e jo vetëm, atë që gjendet në dhjetëra e dhjetëra episode të mbetura si gjurmë të korrupsionit e të matrapazllëkut në dokumentat e denoncuar deri sot prej nesh. Ashtu siç provoi pse u vodhën zgjedhjet, pse u bashkua Meta me Saliun dhe ç’është në të vërtetë Koalicioni i Integrimit. “E di dhe e ndjej që shqiptarët presin një reagim të fortë, në lartësinë e detyrës sonë, prej nesh si partia më e madhe politike e vendit apo si koalicion opozitar. Dhe premtoj se ky reagim nuk do të mungojë. Pasnesër Asambleja jonë Kombëtare do të shpallë konkluzionet e vendimet përkatëse”, - tha Rama. Kurse duke zgjedhur fjalët për të qenë sa më i ashpër në reagim, z. Rama tha se është sot më shumë se kurrë qyshse votat u vodhën për të vjedhur Shqipërinë, dita, që çdo shqiptar i arsyeshëm, jo vetëm të kuptojë, por edhe të jetë në lartësinë e detyrës qytetare për të larguar një qeveri që jo vetëm grabit përditë, jo vetëm vazhdon të provojë e të provohet se synon të vjedhë përsëri zgjedhjet për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë, po ka edhe pafytyrësinë e paturpësinë e skajshme të tallet me shqiptarët, duke mohuar sy për sy, deri edhe gjëra që shihen e flasin vetë. e.r/NOA

KOMENTE