English

“Skandali Meta”, Prokuroria sekuestron videon

Tiranë, 12 janar, NOA – Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur sot një grup hetimor që do të hetojë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, Ilir Meta për korrupsion dhe shpërdorim me detyrën. Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se është sekuestruar dhe kaseta filmike e transmetuar në emisionin ‘Fiks Fare”, ku shfaqet zëvendëskryeministri Meta dhe ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur të sekuestrohet kaseta filmike e shfaqur në emisionin “Fiks Fare” si provë materiale. Njëkohësisht, paralelisht me këtë sekuestrim, grupi hetimor i ngritur me këtë qëllim, po kryen veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Procedimi penal ka nisur për korrupsion pasiv, aktiv dhe shpërdorim me detyrën. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, pas shfaqjes së materialeve filmike të paraqitura në emisionin “Fiks Fare” në televizionin “Top Channel”, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të shtetërorë, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”, njoftoi Prokuroria. a.k/NOA

KOMENTE