English

Basha: Jeni pararoja e rënies së Shengenit

Tiranë, 13 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Është festuar sot në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit 98-vjetori i krijimit të Policisë Shqiptare, ku merrnin pjesë edhe autoritete të Ministrisë së Brendshme si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare PAMECA-s dhe ICITAP-it. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha vlerësoi punën e palodhur, vetëmohuese të çdo efektivi të Policisë së Shtetit nga nivelet e larta drejtuese deri tek nivelet bazë. “18 vjet pasi iu dha fund disa prej misioneve më famëkeqe të diktaturës siç ishte edhe mbrojtja e izolimit të vendit me çdo kusht, Policia e Shtetit, mund të krenohet, çdo punonjës i kësaj organizate mund të krenohet me faktin se janë ata, ishin ata dhe mbeten ata në pararojë të zgjerimit të hapësirës së shqiptarëve, të zgjerimit të lirive të shqiptarëve nëpërmjet procesit historik që ne sot gëzojmë, atë të heqjes së vizave”, u shpreh Ministri Basha. Ai shprehu bindjen e thellë se është puna e Policisë së Shtetit që bëri të realizueshëm këtë objektiv madhor, që sikundër tha ai, po çon sot në shijimin e ditëpërditshëm të kësaj lirie të rifituar për miliona e miliona shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. “Heqja e murit të Shengenit që ndante familjet nga të afërmit u riktheu dinjitetin europian qytetarëve tanë, theksoi zoti Basha, duke i garantuar punonjësit e Policisë për përkrahjen e qeverisë, një mbështetje që do të vazhdojë të intensifikohet duke bërë të mundur që këtë vit të gjitha programet e investimeve, trajnimeve, reformave, të realizohen me sukses të plotë. Sipas Bashës me këtë mbështetje, modernizimi i nisur i policisë shqiptare do të njohë maja të reja. “Sfidat në të cilat ka kaluar Policia kanë qenë të shumta, por sot është momenti të vlerësojmë pa asnjë dilemë faktin se Policia e Shtetit ka arritur nivelet që sot barabiten me ato të homologëve europianë nëpërmjet adoptimit të praktikave më të mira europiane dhe kthimit të investimeve të taksapaguesve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë, qeverisë shqiptare në vepra reale dhe të prekshme, në rezultate konkrete të cilat e rendisin Shqipërinë sot si një nga vendet më të sigurta, faktor kyç për rritjen e investimeve dhe rritjen galopante të industrisë së turizmit vitin që shkoi dhe me gjasa siç pritet edhe këtë vit”, vlerësoi Ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në fjalën e tij vlerësoi arritjet e Policisë Shqiptare gjatë viteve të fundit, mes të cilave, reformat e ndërmarra për përmirësimin e legjislacionit, futjen e teknologjisë së informacionit, implementimin e modelit të ri të policimit, rritjen e forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, etj. “Sot, përvjetori i 98-të e gjen Policinë e Shtetit me legjislacion bashkëkohor dhe të përqasur me standardet e vendeve të BE-së; me politika e strategji reformuese; organizim efikas dhe fleksibël; personel të trajnuar mirë e të aftë për të kryer detyrat; infrastrukturën dhe logjistikën e nevojshme; me arritje e progres mbresëlënës në luftën kundër krimit; kufij të sigurtë, rend publik në shërbim të komunitetit, si dhe me perspektivë të qartë për të ardhmen e sigurtë drejt integrimit të plotë evropian”, theksoi drejtori Burgaj. Festën e 98-vjetorit të krijimit të Policisë Shqiptare e përshëndetën edhe përfaqësues të lartë të misioneve ndërkombëtare që kontribuojnë në fushën e policisë, Shefi i misionit PAMECA III, Cecil Creig si dhe Drejtori i Programit ICITAP, Geri Bullard. Në fund të ceremonisë, punonjësve, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në arritjet e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit dhe ruajtjen e sigurisë e rendit publik, iu shpërndarë çertifikata lavdërimi. mit/NOA

KOMENTE