English

Haxhinasto: Vlerësoj rregullin në zgjedhjet e Kosovës

Tiranë, 13 Janar 2011 NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti sot Ministren e Punëve të Jashtme në Detyrë të Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku. Në takim dy ministrat diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dy vendet, si dhe dinamikën e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Haxhinasto vlerësoi qetësinë dhe rregullin me të cilat u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, si zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë, të organizuara plotësisht nga institucionet kosovare. Ministri uroi për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, me qëllim që Kosova të angazhohet sa më shpejt në tejkalimin e sfidave të progresit të saj. Në takim, Haxhinasto ritheksoi se raporti i Dick Marty është i pabazuar në fakte e të dhëna reale. Ai nënvizoi dhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar plotësisht për hetimin e këtyre akuzave të pabaza me të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces. Të dy ministrat përshëndetën njohjen e Republikës së Kosovës nga Shteti i Katarit, duke shprehur bindjen se kjo do të pasohet nga njohje të tjera, çka do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit në Kosovë, si dhe paqes e sigurisë në krejt rajonin. Çitaku falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në të gjitha hapat që ka kaluar populli i Kosovës, në shpalljen e pavarësisë, ndërtimin e shtetit ligjor dhe përpjekjet që bën për njohjen dhe afirmimin e saj ndërkombëtar. e.r/NOA

KOMENTE