Edhe Kosova, edhe Shqipëria jemi në të drejtën tonë, jemi në bindjen tonë se lufta jonë ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për dinjitet dhe, duke qenë e tillë, ajo ka pasur mbështetjen edhe të BE-së, edhe të SHBA-ve, edhe të NATO-s. Në këtë rast, këtë akuzë ne e shohim si akuzë që i drejtohet të gjitha vendeve që ndihmuan në shumë drejtime, edhe ushtarake, edhe humanitare, lirinë e popullit të Kosovës
Nga Jakup Krasniqi
Unë sa herë vij në Shqipëri ndjehem tamam si në Kosovë. Kisha kënaqësi të veçantë të bisedoj me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Berisha, për zhvillimet politike në Kosovë me theks të veçantë dhe duke qenë përfaqësues të dy vendeve, natyrisht, biseduam edhe për një bashkëpunim më të thellë midis Shqipërisë e Kosovës, si në planin e politikave të brendshme, zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në planin e diplomacisë së jashtme. Në mënyrë të veçantë u ndalëm tek raporti i raportuesit të Këshillit të Europës, zotit Dick Marty, i cili në raport akuzon jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri. Kjo akuzë e ngritur, jo e re por e ripërsëritur, na obligon që dy vendet tona, dy politikat e diplomacitë e vendeve tona t’i koordinojnë punët për ta kundërshtuar këtë raport që është vlerësuar edhe si një pamflet politik. Ne kemi gatishmërinë që institucionet profesionale ndërkombëtare të bëjnë një hetim të gjithanshëm profesional, për gjitha akuzat që i bëhen luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri e çlirim. Ne jemi të bindur se në gjithë programin politik të lëvizjes kombëtare për çlirim në Kosovë, në asnjë fazë të tij nuk ka pasur qëllim e synim tjetër përveç luftës për liri e çlirim dhe nëse në faza të caktuara ka mundur të trajtohet si mëkat apo ka mundur nga qarqe të caktuara të trajtohet si mëkat ka qenë lufta për çlirim e bashkim kombëtar, por nuk ka shkuar përmes asnjë forme të krimit të organizuar ndaj një grupi etnik apo populli tjetër për rrëmbim, për shfarosje, për zhdukje apo për të trafikuar organet e as secilit njeri për qëllime kriminale. Në këtë rast, ne jemi të gatshëm të përballemi me drejtësinë ndërkombëtare. Ne jemi të bindur se Bashkimi Evropian ka një trupë profesionale në Kosovë, për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe në përmasat ekzekutive dhe kemi kërkuar që EULEX-i t’i vazhdojë hetimet aty ku më herët i ka përfunduar administrata ndërkombëtare në Kosovë. Në këtë rast, konsideroj se edhe Kosova, edhe Shqipëria jemi në të drejtën tonë, jemi në bindjen tonë se lufta jonë ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për dinjitet dhe, duke qenë e tillë, ajo ka pasur mbështetjen edhe të BE-së, edhe të SHBA-ve, edhe të NATO-s. Në këtë rast, këtë akuzë ne e shohim si akuzë që i drejtohet të gjitha vendeve që ndihmuan në shumë drejtime, edhe ushtarake, edhe humanitare, lirinë e popullit të Kosovës. Kështu që unë jam i bindur, siç biseduam me Kryeministrin Berisha, që koordinimi ynë tani e tutje do të jetë në shërbim të drejtësisë, të stabilitetit dhe të zhvillimit edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Sigurisht që raporti i reporterit të Këshillit të Evropës e ka dëmtuar, sepse vetë mashtrimi që i është bërë atij raporti, ka pasur për qëllim realisht dëmtimin politik të Kosovës. Por a do të ndikojë ky raport në bisedimet që pritet të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë, unë them se nuk do të mund ti pengojë, ndoshta mund t’i vonojë. Kosova, që nga Konferenca e Rambujesë dhe këtej, gjithnjë e ka pasur dhe e ka gatishmërinë për të biseduar për gjithçka që është në interes të Republikës së Kosovës, të qytetarëve të saj, por dhe në interes të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Kur them qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve të Kosovës, e kam fjalën edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Serbisë dhe për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë. Gjithçka që shkon në drejtimin e përmirësimit dhe të ngritjes së kualitetit të jetës së këtyre qytetarëve të dy vendeve tona ne jemi të gatshëm të bisedojmë.