English

KMDLNJ: Të dënohen shoferët me targa serbe

Prishtinë, 13 janar, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me seli në Prishtinë, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, që të dënohen të gjithë drejtuesit e automjeteve me targa serbe, që tashmë janë shpërndarë nga Serbia, dhe ato që kanë qenë në përdorim deri tani. Me gjithë retorikën e institucioneve të Kosovës të cilat nuk ushtrojnë fare autoritet dhe sidomos të atyre ndërkombëtare të cilat e kanë mandatin për veriun është e qartë se situata në terren është e tillë që tregon mosrespektim dhe shkelje flagrante të Kushtetutës në këtë pjesë të Kosovës e cila administrohet nga Serbia, me pëlqimin dhe ndihmën logjistike të bashkësisë ndërkombëtare! Veriu i Kosovës është zona e errët sa i përket zbatimit të ligjit dhe tokë e premtuar për krimin e organizuar dhe të gjitha krimet tjera! Atij institucional dhe klandestin. Kështu formulohet akuza e KMDLNJ. Sipas saj, lëshimi i tabelave të regjistrimeve të Serbisë për qytetet e Kosovës dhe mos reagimi i institucioneve ndërkombëtare është edhe një hapë që kjo pjesë të largohet edhe më tepër nga rendi kushtetues i Kosovës duke e legalizuar status quo-në dhe duke e shndërruar këtë pjesë në zonë të “ konfliktit të ngrirë”. KMDLNj rikujton faktin se mosbindja që policia e stacionit veri ka ndaj hierarkisë komanduese të Policisë së Kosovës duhet të jetë shqetësues dhe duhet të pasojë me reagime konkrete, sidomos të EULEX-it. Mosrespektimi i urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme për konfiskimin e tabelave të Serbisë është shkelje e rëndë e cila duhet të përcillet më pasoja ligjore për shkelësit. KMDLNJ kërkon nga Institucionet e Republikës së Kosovës që t’i ndëshkojnë të gjithë pronarët e veturave me regjistrim të Serbisë që kanë tabelat e regjistrimit që tani i ka shpërndarë MUP-i i Serbisë si edhe ato që kanë qenë në përdorim deri më tani! Nëse nuk lejohet që veturat me regjistrim të Kosovës të qarkullojnë në territorin e Serbisë atëherë nuk duhet të lejohen që veturat me regjistrim të Serbisë të lëvizin në territorin e Kosovës! KMDLNj po ashtu kërkon nga Institucionet e Kosovës dhe EULEX që të veprojnë në bazë të mandatit të tyre dhe të mos lejojnë që një gjendje e tillë të njihet de fakto. Gjendja e anarkisë ligjore, krimit të organizuar ekonomik dhe politik dhe retorika nxitëse e politikës së Serbisë janë presion i drejtpërdrejtë për qytetarët dhe të drejta e tyre kushtetuese, thotë KMDLNj. Kjo organizatë konsideron se një gjendje e tillë ka ndikuar në vrasjen, plagosjen dhe terrorizimin e banorëve të asaj pjese të vendit. Oaza e krimit të organizuar e krijuar në veri është sulm direkt për realizimin e të drejtave të qytetarëve të asaj pjese. KMDLNJ e ripërsërit kërkesën për drejtorin e Policisë së Kosovës , z. Reshat Maliqi që të gjithë ata pjesëtarë të Policisë së Kosovës të përkatësisë serbe të cilët nuk i binden zingjirit komandues të Prishtinës të përjashtohen nga Policia e Kosovës pa të drejtë rikthimi dhe që ndaj tyre të ndërmerren masa ligjore! Gjithashtu kërkon nga kryeministri i Republikës së Kosovës , z. Hashim Thaçi të mbrojë Buxhetin e Kosovës duke mos ndarë paga për” policë të Kosovës “ në ndërkohë që ata i shërbejnë botërisht një shteti që angazhohet kundër Kosovës, Serbisë! Nëse të gjithë jemi të barabartë para ligji e ashtu deklarojnë edhe ndërkombëtarët, atëherë ashtu edhe duhet të veprohet! Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt kantonizimit dhe duket se ky është qëllimi përfundimtar i faktorit ndërkombëtar! NOA

KOMENTE