English

Meta: Regji mafioze e klanit që drejton PS

Tiranë, 13 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Dy ditë pas publikimit të videos së regjistruar fshehurazi në zyrën e ish-ministrit të METE-s, Dritan Prifti kur ky po diskutonte me zëvendëskryeministrin Ilir Meta që asokohe mbante portofolin e kreut të diplomacisë sonë, është prononcuar rishtazi zëvendëskryeministri Meta, i cili i ka komentuar sulmet politike me çimka të fshehura sulme jo vetëm të karakterit politik dhe elektoral, por si sulme me një regji të qartë mafioze. Meta deklaroi sot se autori i përgjimit, Dritan Prifti, pas dorëzimit të imunitetit të Metës për tu përballur me hetimin pa imunitet parlamentar pranoi sipas tij të vërtetën se kishte dorëzuar një kasetë të montuar me qëllim që të manipulonte publikun. “Menjëherë pas fillimit të hetimeve autori i përgjimit pranoi publikisht se ka dërguar një kasetë përgjimi të montuar, duke hequr pjesët e panevojshme, natyrisht sipas tij, por aspak e vërtetë, pikërisht me qëllim për të manipuluar opinionin publik, me qëllim për të krijuar imazhe tërësisht të paqenë dhe të pavërteta”, tha Meta. Numri dy i qeverisë theksoi se “kjo regji mafioze nuk është thjesht e çimkës në fjalë, por është e një klani të qartë kriminal dhe mafioz, i cili sot kontrollon Edi Ramën dhe lidershipin e Partisë Socialiste, përmes shantazheve dhe aferave që ka bërë, i cili e ka kthyer Tiranën prej vitesh në një lavatriçe të parave të krimit të organizuar”. Sipas Metës ky klan mafioz pranë PS-së kërkon që me çdo kusht që këtë lavatriçe mafioze të vazhdojë ta përdorë për të pastruar paratë edhe pas 8 majit dhe ta kthejë të gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të krimit të organizuar. “Unë kam treguar qartë gjithmonë që jam gati të përballem me të vërtetën, që jam gati të përballem me ligjin dhe jo më për t’u përballur me çimka, të cilat e pranojnë që në fillim të gjithë kësaj historie se janë vënë në shërbim të një regjie mafioze, e cila nuk kërkon të luftojë korrupsionin, por kërkon të marrë peng shtetin, dhe të imponojë lëvizjet politike në funksion të këtij klani kriminal mafioz. Ndaj unë këtë betejë, e cila për mua është politike, morale dhe ligjore, do ta fitoj në emër të dinjitetit dhe të lirisë së qytetarëve shqiptarë, në emër të dinjitetit të institucioneve përballë pengmarrësve, të cilët të jeni të sigurt që do të dalin plotësisht me fytyrën e vërtetë që kanë patur dhe që kanë përballë të gjithë qytetarëve shqiptarë”, theksoi zëvendëskryeministri Meta. Ministri i Ekonomisë duke folur për dorëheqjen e kërkuar nga shefi i opozitës nënvizoi se dorëheqja e tij është një ëndërr që kryesocialistit Edi Rama nuk do t’i plotësohet, ashtu sikundër theksoi ai edhe klanit që Ramën e drejton dhe që është edhe bashkëregjisor i videos së shantazhit, Tom Doshit. “Më vjen shumë keq për ëndrrat e parealizuara të kryetarit të Partisë Socialiste. Ai është praktikisht bashkëregjisori, së bashku me njeriun që praktikisht po e drejton atë dhe Partinë Socialiste, z. Doshi, dhe tashmë ka marrë në administrim dhe z. Prifti, i gjithë këtij sulmi, i gjithë këtij shantazhi, i gjithë kësaj veprimtarie mafioze kundër një politikani, kundër një deputeti, kundër liderit të një force politike”, tha meta. Zëvendëskryeministri Meta theksoi se kjo është edhe një sfidë dhe një betejë karakteresh, pasi sikundër tha Meta, ai mbetet i njëjti në shërbim të qytetarëve. Meta shtoi se mbetet i tillë që do ta ndihmojë Partinë Socialiste të shikojë më qartë se nga çfarë klani kriminal është uzurpuar dhe se çfarë metodash të ulëta, manipulative, e mafioze po përdor për të marrë pushtetin. mit/NOA

KOMENTE