English

Mjaft: Godina e METE, një zonë krimi

Tiranë, 13 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Dhjetëra qytetarë të drejtuar nga Lëvizja Mjaft kanë protestuar sot përpara Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta, për shkak të përfshirjes së tij në afera korruptive të denoncuara së fundmi përmes një videoje të regjistruar në zyrën e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, në kohën kur ky i fundit ishte në krye të këtij dikasteri. Përfaqësuesi i lëvizjes Mjaft, Aldo Merkoçi i cilësoi pamjet e transmetuara si skandaloze, të cilat kompromentojnë një sërë institucionesh qeveritare dhe publike në aferën me të re korruptive të Ilir Metës. “Pazaret e punësimeve, lidhjet dhe zgjidhjet e kontratave, tenderët abuzivë , 7 %-shat dhe 700 milionshat nuk mund të jenë pjesë e veprimtarisë së një institucioni që merr frymë me para publike”, deklaroi para qytetarëve protestues, Merkoçi duke theksuar se “Ky është një moment vendimtar për politikën shqiptare, që t’u tregojë qytetarëve të saj se ajo ruan ende një sens drejtësie në politikat që promovon”. Sipas Lëvizjes Mjaft ky është shansi i fundit i qeverisë Berisha që qytetarët e saj të mos humbasin përfundimisht besimin tek ajo, institucionet publike, drejtësia, apo qoftë edhe tek vet klasa politike. “Mbetet në përgjegjësinë e plotë të këtij ministrit Ilir Meta, që ai me përgjegjësinë që i jep posti dhe votebesimi i qytetarëve t’u tregojë atyre që e zgjodhën se politika shqiptare ruan ende një grimcë morali të shëndoshë”, tha merkoçi. Lëvizja Mjaft gjatë protestës e shpalli sot godinën e METE-s një zonë krimi ndaj interesit publik dhe institucionit të demokracisë. “Eshtë në nderin tënd, Ilir Meta, të dalësh nga kjo godinë, për t’i hapur rrugë drejtësisë të proçedojë me hetimet dhe në nderin e kabinetit qeveritar dhe kryeministrit të vendit të zbatojnë kompetencat që i jep Kushtetuta për të shkarkuar nga detyra Ilir Metën, i cili përmes pazareve të ulëta korruptive ka njollosur atë që iu ofrua shqiptarëve në zgjedhjet e shkuara si premtimi më i madh, lufta kundër korrupsionit”, kërkoi përmes një deklarate përfaqësuesi i lëvizjes Mjaft. mit/NOA

KOMENTE