Rita Shehu Dy muaj më parë, “shkrimtari ynë”, Ismail Kadare publikoi sprovën më të re letrare “Mosmarrëveshja, raportet e Shqipërisë me vetveten”, që si shumë libra të tjerë të tij të mëparshëm, botime, ribotime, postribotime, ka pasur një numër të madh shitjesh brenda dhe jashtë panairit të përvitshëm të nëntorit. E vura në thonjëza shkrimtari ynë për shkak se ai tashmë përfaqëson një dukuri botërore (përkthyer në më shumë se 50 gjuhë dhe konsideruar nga një botues francez ndër katër - pesë krijuesit më të mëdhenj prej kohës kur është dëshmuar letërsi) dhe nga ky dimension rreket të shpjegojë fatin tonë, të pangjashëm me fate të popujve dhe kombeve të tjerë.Sprova më e re letrare e Kadaresë ndahet në trembëdhjetë kapituj: rreth himnit të vjetër të shtetit, enigma e vërtetë, mjegull - prolog me Djallin, dialog me Djallin dhe me Zotin, pantomima e frikshme e bronzit, testament i gabuar, Gjergji K. kundër Arbërit, intermexo me dy vrasje në sfond, kalorës të pabesë-mbretër që qajnë (zotëriu i pabesë Xandrebech), lëngatë në gadishull, një sulltan me dy vdekje, tri gjendje të Kastriotit, epilog me Zotin si dhe 85 shënime që janë si nënkapituj më vete. Si një mjeshtër i madh autori ka një shqetësim që e kanë pasur para tij figura të mëdha kombëtare, rilindasit dhe sidomos dy personalitete të larta si Fishta e Konica: çfarë ka ndodhur me shqiptarët përgjatë shekujve, si kanë mbijetuar, si kanë dëmtuar shpesh vetveten më shumë se treshja zymtore (perandoria turke, sllavët dhe grekët) dhe për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe të tjerave si këto, nis dhe ndërton ngrehinën e esesë.... Më pas vjen joshja ndaj flamurit që për Kadarenë, tre deri në tetë vjeç, Shqipëria kishte tundur disa sosh: të mbretërisë, të pushtimit italian, të atij gjerman, të periudhës komuniste dhe për të ardhur në vitet nëntëdhjetë te flamuri i kryehershëm princëror i Mesjetës. Pikërisht flamuri, me shkabën dy krenore, shpendi më i fismë i njerëzimit, me hije mijëvjeçarësh, iu ishte lënë prej europianëve që ta përdorinin shqiptarët. Edhe këtu autori, vëren se ndryshe nga shumë shtete të tjera, Shqipëria ishte ndër të pakta raste që e quante “himni i flamurit”. Dhe sipas autorit, ndërsa “flamuri ishte shenja e parë e shtetit, himni ishte tingulli kryesor i tij”. Pastaj përmenden përpjekjet e Aleks Drenovës që shkroi apo përkthehu himnin si dhe hulumtimin e Faik Konicës që fiksoi përgjithherë heraldikën e flamurit. Në kapitullin e dytë Kadare rimerr sërish temën e himnit. Në një mënyrë tepër koncize, herë me humor, sarkazëm dhe herë me informacion, ai shpjegon lidhjet e shqiptarëve me këtë tekst, ballafaqimin me himnebërës dhe himnembajtës të tjerë, kuptimet e larme nga njerëz dhe kohë të ndryshme deri te profecia e keqe për popujt dhe paralajmërimi i komploteve, përpjekjet e disahershme për të krijuar një të ri, dyzinën e poetëve (poetët hymnorë) dhe të kompozitorëve që jepnin e merrnin mbi vargje dhe tinguj dhe ndërsa i paraqisnin në juri, gjysmën e saj e gjenin të dergjur qelive dhe kampeve të përqendrimit. Në këtë kapitull autori risjell edhe konsideratën e Migjenit (kënga që s’kuptohej kishte dalë nga thellësia e kombit) si dhe shqetësimin e rilindasve që e kishin pikasur të parët sasinë e madhe të rimohuesve dhe që shprehej në strofën: Se Zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe Por Shqipëria s’do të rrojë/ sepse atë s’e duam ne. Sipas autorit rilindasit ishin të parët që e kishin zbërthyer këtë spikamë, qenë tmerruar dhe kishin vuajtur nën heshtje, siç vijuan të mbytnin vajin dhe klithmat: komb vetvrasës, i çmendur! Kapitulli i tretë i sprovës letrare “Mjegull, prolog me djallin” ka më shumë densitet ngjarjesh, veprimesh, aktesh dhe personazhesh të hapësirës shqiptare, ballkanike dhe europiane. Autori i rikthehet sërish zbërthimit të tekstit për himnin e famurit, më sakt një vargu të tij “se kombet shuhen përmbi dhe” për të zbuluar fatin e shqiptarëve në njëqind vjetët e fundit. Për shkak se në shqip fjala ‘kombe’ dhe ‘kombet’ kanë një ndryshim të cilësishëm, kjo për autorin parathotë një dyshim që në zanafillë. Dhe më poshtë ai shton: “Ç’kishte ndodhur njëqind vjetët e fundit me Shqipërinë? Thelbi përmblidhej me dy fjalë: kalvari i rikthimit ne Evropë…rikthimi shkabës së arratisur”. Dhe këtu Kadare përmend legjendën ballkano-kaukaziane (përdorur edhe prej Tolstoit) që shqiponja, pas një robërimi që s’mbahet mend, rikthet në vendin e të parëve me një unazë në kthetra, më një damkë robëruesi. Pikërisht duke marrë shkas nga kjo gjetje autori ndalet në dyzimin shqiptar më 1912 ku një pjesë luftonte e punonte për të shpallur pavarësinë e saj dhe pjesa tjetër për të mbetur me unazën në kthetra, pra nën perandorinë otomane. Te kjo pjesa tjetër hyjnë bashkë dyshja Qamili e Biçoku, regjimi diktatorial i Hoxhës, konferenca islamike, shpura e majtëedjathtë në dasmën e djalit të kryeministrit turk, moskundërshtimi i Davutogllusë në Sarajevë, “Mekami” i Trebeshinës, rimohues nga Tirana e nga Prishtina, përmendorja e oficerit turk, kori i fëmijëve “o sulltan, sunduesi im”, etj. Po aq sa Fishta, Konica, rilindasit, Kadare është më kritik për rimohuesit shqiptarë, por nuk harron të nënvizojë edhe planet e të tjerëve për zhbërjen e Shqipërisë. Si një njohës i vëmendshëm i historisë së popujve autori rrëfen edhe përpjekjen e pjesës tjetër, kryesisht të fqinjëve për ta fshirë Shqipërinë nga harta e Ballkanit. Dhe vijnë e shfletohen me radhë në këtë kapitull të sprovës letrare teksti paralajmërues i ideologur serb Garashanin, libri i kryeministrit serb Gjeorgjeviç (përkthyer po nga një kryeshtetar shqiptar, Mustafa Kruja) që një urrjetje aq e madhe e kishte shtyrë në një njohje të përkryer të Shqipërisë gjysmë shtet, poeti Rakiq me “Sytë e Simonidës”, pakti turko-jugosllav për shpërnguljen ‘paqësisht’ të kosovarëve, “Dëbimi i arnautëve” i Çubrilloviqit, projekti i akademikëve për ndarjen më katërsh të vendit të shqiponjave, zonja franceze e afërt me Bogradin që kërkonte rishtegtimin turk… Vetë kapitulli “prolog me Djallin” fliste megjithatë që, një komb i zgjedhur nga Zoti, me rimohues dhe kombëtarisët, nuk i kishte shpëtuar yshtjes prej të parit. Në kapitullin e katërt Kadare i rikthehet sërish dramës së shkurtër të Fishtës “Nën hijat e Parrizit” shkruar më 1914. Sipas autorit “kishte ndodhur, më në fund e pabesueshmja: jo turqit osmanë…jo grekët e palodhur…jo serbët fanatikë, por…rimohuesit shqiptarë donin të përmbysnin atë që ishte dukur i papërmbysshëm”. Drama e shkurtër e at Fishtës ka një dialog mes Skënderbeut dhe Djallit. Ky i fundit i pohon heroit se “gjithkush të ka në gojë, por në zemër nuk e di”. Ndërkaq zëdhënësi i Zotit, Shën Pjetri e qetëson Gjergjin se Shqipëria do të bëhet për inat të Djallit dhe të shqiptarëve. Kadare shton se Fishta si rilindës dhe si shëlbues kishte kuptuar leximin e fshehtë të himnit që Shqipërinë s’e kishte braktisur as Zoti dhe as Djalli, ai nuk dëshiron ta ligështojë kombin e vet, por megjithatë nuk mund të mos u bjerë kambanave ndaj së keqes. Po në këtë kapitull autori shtjellon sagën e përpjekjeve për rrëzimin e Skënderbeut që ishte lajm i vjetër thuajse disashekullor. Shtysa për rrëzim kishte nisur qysh më 1443 kuri ai i ktheu krahët shtetit perandorak dhe kur “bashkë me dekretin për dënimin e tij, bashkë me urdhërat për zbulimin e komplotistëve të tjerë, për parashikimin e pasojave, për zhbirimin e arkivit të fshehtë… me dhjetra shkrues e kronistë të shtetit…”nisën fushatën çnderuese me mallkime e libra plot helm dhe i përkthyen ato në perëndim duke nisur nga spanjishtja, nga skaji ku niste dhe aventura europiane e tij. Sipas dëshmive të shumta Skënderbeu kishte vdekur thjesht nga ethet dhe jo në fushën e betejës; sipas po këtyre të dhënave atij s’i gjendej as varri dhe përpos tij ishin dhe dy kryeheronj antiturq, njëri hungarez Janosh Huniadi dhe tjetri rumun Konti Tepesh, e megjithatë ai i kishte mundur edhe me bëma, por edhe me qindra libra që u shkruan katër - pesë shekuj me radhë, por edhe me një mister që e dispononte vetëm ai.