Pavarësisht se numri i pacientëve të infektuar me virusin A/H1N1, ose me të ashtuquajturin "gripi i derrit", sivjet ka arritur shifrën 14, zyrtarët shëndetësorë në Kosovë vlerësojnë se situata nuk është alarmante dhe se nuk ka vend për panik. Doktor Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës infektive në Qendrën Klinike Universitare, thotë se pacientët e evidentuar me virusin A/H1N1 kryesisht janë kuruar me sukses. “Në Klinikën infektive, deri më sot, këtë vit, kemi pasur 14 raste, të cilat i kemi konfirmuar. Të gjithë janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë. Në Klinikën infektive, gjenden vetëm dy pacientë dhe janë në gjendje të mirë. Të tjerët janë lëshuar në shtëpi, po ashtu në gjendje të mirë”, bën të ditur Dreshaj.
Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë se duke pasur parasysh se tashmë është, siç e quajti ai, sezoni i plotë i gripit, qoftë atij sezonal qoftë atij me virus A/H1N1, në përgjithësi situata epidemiologjike është e qetë.
“Në bazë të situatës aktuale, të cilën ne e përcjellim me përpikëri, duke pasur parasysh diagnostifikimin e saktë laboratorik, nuk ka kurrfarë rreziku që të ketë përmasa të mëdha".
"Ne jemi në gjendje gatishmërie, kështu që nuk mund të na befasojë asgjë, duke pasur parasysh që tashmë kemi marrë masat adekuate për edukim shëndetësor edhe për informimin e të gjitha institucioneve shëndetësore, si dhe për informimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që të përcjellim situatën eventuale te shfaqja e rasteve te nxënësit në shkolla fillore ose të mesme”, thotë Ramadani.
Por, Skënder Syla, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thotë se vështirë se mund të parashikohet përhapja eventuale e virusit A/ H1N1 në Kosovë. Megjithatë, ai nuk pret që numri i pacientëve me virusin pandemik të jetë sikurse vitin e kaluar.
“Megjithatë, ne i kemi rekomanduar institucionet shëndetësore në Kosovë që t’i bëjnë përgatitjet e duhura. Mendoj që vetë fakti që në Kosovë janë disagnostifikuar dhe trajtuar me kohë rastet, tregon që gjatë pandemisë në vitin e kaluar, është trajnuar stafi dhe sistemi është i përgatitur që të përgjigjet në mënyrë adekuate”, thekson Syla.
Ndërkaq, Ramadani shpreh gatishmërinë e institucioneve shëndetësore, të cilat, sipas tij, janë të gatshme të përballen me çfarëdo eventualiteti, sa i përket virusit pandemik. “Medikamente dhe vaksina ka mjaft, prandaj nuk ka kurrfarë problemi. Vend për shqetësim dhe panik nuk ka, por ka vend për kujdes. Qytetarët duhet të kujdesen të mos grumbullohen në vende me numër të madh të qytetarëve, si dhe të mbajnë pastërtinë dhe higjienën e tyre personale”, nënvizon Ramadani.
Edhe Syla shton se nuk ka vend për shqetësim, duke pasur parasysh përgatitjen e institucioneve shëndetësore për t'u përballur me ndonjë valë eventuale të virusit pandemik. Por, sipas tij, përballja me virusin A/H1N1 nuk varet vetëm nga kujdesi mjekësor. “Elementi i parë është që pacientët të jenë vigjilentë dhe në momentin e shfaqjes së simptomave të gripit, duhet të paraqiten te mjeku. Elementi i dytë, është ofrimi profesional i ndihmës nga stafi shëndetësor, gjë që ekziston në Kosovë. Viktimat nuk mund të përjashtohen".
"Do të thotë, nuk mund të thotë dikush se 100 për qind nuk do të ketë. Ne do të dëshirojmë që të mos ketë viktima dhe në atë drejtim po punohet, që t’i kemi përgatitjet në nivelin më të lartë. Mirëpo, secili organizëm reagon në mënyrë individuale”, shton Syla.
Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, virusi A/ H1N1, në mënyrë më agresive reagon te personat më të ndjeshëm, siç janë shtatzënat, personat me sëmundje kronike, si dhe tek ata që kanë qenë të sëmurë më herët. /rfe/