English

Obama nderon viktimat e Arizonës

SHBA, 13 janar, NOA - Presidenti amerikan, Barack Obama ka nderuar kujtimin e viktimave të vrasjeve në Arizonë të shtunën, kur një person i armatosur vrau gjashtë persona dhe la të plagosur një kongresiste. Duke folur në një shërbim funerali në Tucson, Obama përshkroi jetët e atyre që vdiqën. Në të njëjtën kohë, ai foli dhe për debatin e ashpër politik që pasoi sulmin. Ai u bëri thirrje amerikanëve që të flisnin me njëri-tjetrin në një mënyrë që shëronte, jo që lëndonte. "Kur një tragjedi si kjo godet, është pjesë e natyrës sonë që të kërkojmë shpjegime," tha presidenti Obama. Por ai shtoi se diskutimi mes amerikanëve ishte bërë shumë i polarizuar dhe bëri thirrje për tolerancë. "Në një kohë kur jemi shumë të gatshëm që të fajësojmë për gjithçka që i shkakton vuajtje botës ata që ndodh të mendojnë ndryshe nga ne, është e rëndësishme që të ndalemi për një moment dhe të sigurohemi që po flasim me njëri-tjetrin në një mënyrë që shëron, jo në një mënyrë që lëndon," tha presidenti. Më herët Obama vizitoi spitalin në Arizonë ku kirurgët po mjekojnë kongresisten Gabrielle Giffords, e cila u qëllua në kokë. Ai tha se ajo kishte hapur sytë për herë të parë që nga sulmi. Obama takoi të mbijetuar të tjerë dhe të afërm të viktimave, raporton BBC. a.k/NOA/

KOMENTE