English

Partitë shqiptare në krizë të thellë politike

Shkup, 13 janar, NOA - Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk e kanë parë të nevojshme të komentojnë deklaratën e presidentit shqiptar Bamir Topi për bashkëpunim midis faktorit politik shqiptar. Përfaqësuesit e partive kryesore politike BDI, PDSH dhe DR i janë shmangur përgjegjësisë dhe deklarimit publik lidhur me mesazhin e presidentit Topi. Dosjet, regjistrimi i popullsisë dhe Marrëveshja e Ohrit kanë thelluar hendekun e konfliktit politik midis BDI dhe PDSH, dhe se këto dy subjekte po vazhdojnë akuzat dhe kritikat midis tyre. Në pajtimin e faktorit politik shqiptar kanë dështuar edhe nismat e personaliteteve publike shqiptare dhe thirrjet e disa organizatave joqeveritare dhe partive më të vogla politike. Presidenti shqiptar Bamir Topi dy ditë më parë ka deklaruar se faktori shqiptar në Maqedoni ka nevojë të jetë më bashkëpunues me njëri-tjetrin. Ai ka vlerësuar se “sa më shumë të bashkëpunojnë partitë politike shqiptare, aq më shumë do të mbrohen interesat e shqiptarëve në Maqedoni”. “Të mos vazhdohet më me një klimë të tillë tensioni, sepse kjo dëmton jo vetëm imazhin e shqiptarëve pa përjashtim, por edhe interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Interesi është që të bëhet një integrim i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mbi bazën e kësaj fryme të re, të kësaj klime të re, të plotësohen në mënyrë të qartë interesat e çdo individi, qoftë ky me kombësi maqedonase, qoftë me kombësi shqiptare”, ka deklaruar presidenti Topi. Mesazhet dhe aktivitetet e paralajmëruara të politikës shqiptare për 2011 nuk japin asnjë sinjal për një bashkëveprim apo kooperim në skenën politike në Maqedoni.

KOMENTE