Tiranë, 13 Janar 2011 NOA - Ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti deklaron se ka mbetur i zhgënjyer nga qëndrimi i kryeministrit Sali Berisha lidhur me videon ku sipas tij Ilir Meta jepte urdhra për shpërndarjen e tenderëve. “Tek Berisha unë tani nuk kam më asnjë shpresë”, - tha Prifti gjatë një interviste sonte në Top Channel duke theksuar se kryeministri ka qenë në dijeni “të të gjitha aferave korruptive që kryente Meta”. “E informova për kontrabandën e naftës “Virginia”, denoncova truprojën e tij dhe ai nuk bëri asgjë. Kjo tregon interesat për të cilat ai është lidhur me Metën. Gjithashtu është edhe një moment tjetër që më ka lënë shije të hidhur. Kur isha ministër i cova atij një raport të kontrollit të brendshëm të METE për koncesionet e bëra nga Ruli. Në auditin e kontrollit të brendshëm ai ka gjetur gjëra të tmerrshme. Por ai e mori, ia dha departamentit të tij antikorrupsion dhe deri më sot unë s’kam dëgjuar asgjë për atë raport”, tha Prifti. Prifti akuzoi edhe paraardhësin e tij në Ministrinë e Energjetikës, Genc Ruli, duke deklaruar se “vetëm gjatë muajve të verës së vitit 2009 ka dhënë në mënyrë ilegale 40 koncesione”. Më tej ish-anëtari i kabinetit “Berisha” ka sqaruar edhe shifrën prej 7% të përmendur nga Meta në videon e publikuar nga “Fiks Fare”, duke lënë të kuptohet se Meta kishte interesa madhore për t’ua dhënë tenderin e hidrocentralit të Shushicës njerëzve të tij. “Ai kishte 20% dhe 700 mijë euro do të ishte vetëm pjesa ime. Nuk e di me saktësi sa do të ishte pjesa e tij. Meta i kishte vënë aksionet e tij në emër të ish-shoferit. Ai vetë më ka thënë se Meta ka pjesën e tij në koncesionin e vëllezërve Tolaj”, ka shtuar Prifti. Gjatë intervistës ish-ministri Dritan Prifti ka folur dhe për ato që i ka cilës presione “mafioze” ushtruar ndaj tij nga zëvendëskryeministri Ilir Meta. Madje Prifti është shprehur se pikërisht për shkak të këtyre presioneve ka regjistruar edhe bisedimet e zhvilluara me kryetarin e LSI-së. “Nuk kam pasur ndërmend t’i bëj presion Metës, por ka qenë detyra ime të faktoja presionet mafioze që më ka bërë mua Meta për vite rresht. Që kur mora detyrën ai më ka bërë një presion të jashtëzakonshëm duke thënë: këtë tender këtij, këtë tender atij. Dhe unë e kam pasur për detyrë të tregoj se me çfarë mafiozi kam pasur të bëj”. Duke konfirmuar autorësinë e videos së regjistruar, Prifti ka theksuar se Meta ka bërë edhe shumë afera të tjera të paligjshme, që në kohën kur ka qenë kryeministër. “Ai ka një vit që mashtron dhe ia ka hedhur. Unë i kam qëndruar pranë pasi këto që tregova sot i kam regjistruar gjatë vitit të fundit. Videon e kam regjistruar unë. Unë isha drejtor i KESH-it. 10 ditë u largova në Amerikë dhe Meta mori në telefon nëndrejtorin dhe bleu 10 milionë dollarë energji. U ktheva dhe e luftova këtë. Ndërkohë, në vitin 2001, Meta më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë: Më duhet të blej disa anëtarë të KPD-së tek PS, më gjej 500 mijë marka. Gjeji ku të duash”, ka treguar Prifti. e.r/NOA