English

Video Meta-Prifti, Topi: Prokuroria të hetojë

Tiranë, 13 janar, NOA - Presidenti Bamir Topi ka deklaruar se prokuroria duhet të hetojë të gjitha akuzat dhe pretendimet e ngritura për korrupsion. Në komentin që bëri për publikimin e videos, Topi u shpreh se prokuroria nuk duhet të zbatojë vetëm ligjin, por edhe të bëjë transparencë. “Tashmë kjo është një çështje e Institucionit të Prokurorisë dhe, patjetër, inkurajoj Prokurorinë, jo thjesht në sensin për të bërë detyrën e saj, sepse ndonjëherë është e panevojshme të thuhet që inkurajoj Prokurorinë, duke qenë se Prokuroria është një Institucion që ka një ligj. Por, e them këtë për të bërë transparencë”, tha sot Topi gjatë një prononcimi për gazetarët në qytetin e Pogradecit. “Pra, vijoi ai, - inkurajoj Prokurorinë të bëjë punën e saj, të hetojë dhe të bëjë transparencë hap pas hapi, sepse ka mjaft ngjarje, që kanë një sensibilitet të lartë publik, me të drejtë, dhe këto ngjarje duhet patjetër të certifikohen hap pas hapi, qoftë në sensin e pohimit të gjërave, qoftë në sensin e kontestimit të gjërave”. Kryetari i shtetit vlerësoi më tej se “kemi nevojë të respektojmë institucionet, shtetin ligjor dhe vetëm atëherë do të shkojmë në parametrat e shtetit të së drejtës. Komentet politike pastaj nuk më takojnë mua t’i bëj, u takojnë të tjerëve.” I pyetur lidhur me faktin se zoti Meta është i mbrojtur nga imuniteti, Kryetari i Shtetit u përgjigj: “Edhe një herë, edhe kjo bën pjesë në vlerësimet politike. Unë jam President i Republikës dhe i trajtoj çështjet me shumë rigorozitet në sensin ligjor dhe institucional. Fakti që kjo çështje është në dorë të Prokurorisë, pra, le ta lemë Prokurorinë të punojë, por edhe të bëjë transparencë, transparencë në të gjithë procesin.” a.k/NOA

KOMENTE