English

Zhytur në vetëharresë

Sot ju duhet të ndjeheni 20 herë më krenarë se 20 vjet më parë, sepse me punën, me përkushtimin, durimin dhe guximin tuaj bëtë që Shqipëria e zhytur në harresën dhe vetëharresën më të madhe të kohërave të jetë anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur, anëtare e NATO-s

Nga Sali Berisha

Ne që themeluam 20 vjet më parë Partinë Demokratike festojmë dy ditëlindje, ditëlindjen tonë dhe ditëlindjen e lirive tona. Ne festojmë ditëlindjen, festojmë 20 vjetorin e ditëlindjes së lirive tona, 20 vjetorin e asaj dite në të cilën ne me një kurajë të madhe njerëzore, me një vendosmëri të hekurt, vendosëm të bëhemi të lirë, të jemi njerëz të lirë, të jemi qytetarët lirë.

Sot, 20 vjet në rrugën e lirisë, ne ndjehemi më krenarë se kurrë, sepse në 20 vjet liri ne ia dolëm, së bashku, të ndërtojmë këtë vend, të shndërrojmë këtë vend dhe ta zhvillojmë atë më shumë se XX shekuj të marrë së bashku, qëndresë, rezistencë, pushtime dhe regjime antishqiptare.

Ne jemi sot më krenarë se kurrë, sepse ne, burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, që shembëm murin e Berlinit në Tiranë, në Korçë dhe mbarë Shqipërinë themeluam në vendin e shtypjes më të egër e më mizore sistemin e vlerave, sistemin e lirive, sistemin e besimeve më të mëdha në këtë vend. 20 vjet më parë ne ishim qeniet më të varfra, më të mjerat e Evropës dhe ndër më të varfrat në planet. Shqipëria përjetonte skamjen dhe mjerimin, ndërsa sot të pasur nuk jemi, por kemi ekonominë më vibrante, më dinamike, më entuziaste në Evropë.

Ne sot duhet të ndjehemi krenarë, duhet të jemi mirënjohës ndaj njëri – tjetrit, duhet të vlerësojmë njeri- tjetrin, sepse sot ne jemi vendi i vetëm, nga më të paktit, me një rritje të fuqishme ekonomike. Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që rrisim çdo vit rrogat dhe pensionet, ndërkohë që të tjerët i ulin ato.

Demokrate dhe demokratë të Korçës e mbarë Shqipërisë,

Sot ju duhet të ndjeheni 20 herë më krenarë se 20 vjet më parë, sepse me punën, me përkushtimin, durimin dhe guximin tuaj bëtë që Shqipëria e zhytur në harresën dhe vetëharresën më të madhe të kohërave të jetë anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur, anëtare e NATO-s.

Demokrate dhe demokratë të Korçës e mbarë Shqipërisë,

Sot duhet të ndjeheni 20 herë më krenarë se kurrë, sepse me punën, përkushtimin dhe reformat që ju ndërmorët e mbështetët bëtë që shqiptarët të festojnë këto Krishtlindje dhe këtë Vit të Ri si zotër në Shqipëri dhe në mbarë Evropën.

Demokrate dhe demokratë të Korçës e mbarë Shqipërisë,

Sot ju duhet të ndjeheni më krenarë se kurrë me vendimin tuaj, me trimërinë tuaj, me veprën tuaj, sepse sot ne që u themeluam si parti e interesit kombëtar, si parti e interesit të një kombi, që gjysmën e vetë e kishte në pushtime dhe robëri, bëmë që shqiptarët të jenë të lirë. Se ne qëndruam fuqishëm për liritë dhe të drejtat e tyre. Kosova është e pavarur, shqiptarët janë të lirë, më të lirë se kurrë në historinë e tyre.

Demokrate e demokratë të Korçës e mbarë Shqipërisë,

Sot ju duhet të ndjeheni më krenarë se kurrë, sepse në 20 vjet përpjekje, mundime, por rrugë të ndershme, ne qëndruam të papërkulur në vlerat që besojmë. Rebelimit komunist ne iu përgjigjëm me qëndresën demokratike. Qëndruam në opozitë, i dhamë vendit opozitën më të shkëlqyer që ka njohur ndonjëherë. Ne përzumë me votë ata që erdhën në pushtet me armë. Sot ne jemi këtu më të fortë se kurrë dhe më të sigurt se kurrë në fitoren tonë.

Demokrate dhe demokratë të Korçës e mbarë Shqipërisë,

Sot ne duhet të jemi më krenarë se kurrë, sepse me reformat tona, me përpjekjet tona, ne ecim të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne jemi lokomotiva e integrimit të këtij vendi. Ne jemi promotorët e integrimit evropian të Shqipërisë.

Demokrate dhe demokratë të Korçës e mbarë Shqipërisë,

Këto 20 vjet ishin përballja jonë e madhe, jo vetëm me mbetjen e regjimit më barbar që Evropa kishte pasur pas lufte, por edhe me prapambetjen e madhe shekullore që trashëgoi vendi. Sot nga Konispoli në Vermosh, nga Devolli në Shkodër, në të gjitha anët e kemi shndërruar Shqipërinë në kantier të vërtetë. Do të jetë e afërt dita kur ju korçarë, kolonjarë, konispolas dhe shqiptarët nga çdo krahinë e këtij vendi të arrini në Tiranë në rreth 2 orë, 2 herë më shpejtë seç arrijnë sot.

Demokrate dhe demokratë të Korçës e mbarë Shqipërisë,

Ju duhet të ndjeheni krenarë me veprën tuaj, të ndjeheni krenarë me vendimet tuaja, të ndjeheni krenarë për mbështetjen që dhatë, sepse sot ky vend, i cili vetëm gjashtë vjet më parë nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, është shpallur këtë vit e bukura e dheut, destinacioni kryesor turistik i planetit. Si Shqipëria vend nuk ka, si Korça qytet nuk ka. Shqipëria - destinacioni kryesor turistik i planetit është arritja e madhe e jetës sonë, e burrave dhe grave, e djemve dhe vajzave që i kanë besuar dhe i besojnë këtij vendi, që e duan dhe e kanë dashur këtë vend, që kanë derdhur në këtë vend djersën dhe mundin, dashurinë e tyre. Kurrë ndonjëherë shpirti i shqiptarëve nuk është shpalosur para botës më i madhërishëm, më fisnik, më njerëzor se këto vite.

Ne ia dolëm të shndërrojmë Shqipërinë në destinacionin kryesor turistik të botës, para së gjithash, se i bukur, se i madh dhe i bardhë është shpirti i çdo shqiptari. Sepse ne mikpritjen e kemi virtytin tonë më të arrirë. Të gjithë duan të vijnë tek ne, të gjithë pëlqejnë miqësinë dhe mikpritjen tonë. Ne ia dolëm që Shqipëria të shpallet miss bota, sepse Zoti e ka bërë këtë vend Zvicër me det, se malet dhe brigjet e saj janë më të bukurat në Evropë. Ne ia dolëm që Shqipëria të shpallet miss bota, e bukura e dheut, sepse ne me një shpejtësi të paparë shndërruam infrastrukturën e saj mesjetare në një infrastrukturë moderne në të gjithë ultësirën bregdetare dhe po ecim drejt çdo destinacioni turistik.

Vëllezër e motra,

Ne duhet të jemi krenar me veprën tonë, sepse sot ne kemi ndër standardet më të larta në Evropë dhe në botë për ndjekjen e shkollave të mesme, për ndjekjen e universiteteve. Cilësia dhe mbi të gjitha cilësia do të jetë vepra jonë në vitet që vijnë për shkollimin e fëmijëve tanë.

Qytetare dhe qytetarë të Korçës,

Në 20 vjet ne kemi provuar sakrifica, dhembje, suksese, por ne kemi hedhur themelet që gjatë 20 viteve që vijnë shqiptarët të realizojnë dhe 20 herë më shumë se në vitet që shkuan.

Demokrate dhe demokratë,

Ne që shembëm murin e Berlinit në Tiranë, që përmbysëm diktaturën më mizore në Evropë, që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, që ndërtuam tregun e lirë, që bëmë që shqiptarët të lëvizin pa viza, që shndërruam ekonominë shqiptare nga një ekonomi në agoni e vdekje klinike – në një nga ekonomitë më vibrante në Evropë dhe në botë, në 7 vitet që vijnë do të bëjmë që Shqipëria, e bukura e dheut, të renditet me vendet e zhvilluara të Evropës dhe botës. Ne kemi forcën për ta bërë këtë, kemi dashurinë tonë, pasionin e madh për këtë vend të bekuar. Ne kemi reformat levën e Arkimedit dhe në shtatë vitet që vijnë fëmijëve tanë, vetes tonë dhe brezave që vijnë do tu dhurojmë Shqipërinë –vend i zhvilluar.

Demokrate dhe demokratë,

Në këto përpjekje hijet e së shkuarës, një grusht bllokmenësh të rinj, të cilët këmbë e kokë janë të mbrujtur me psikologjinë e bunkerit ku u rritën, psikologjinë e përçmimit ndaj njeriut të thjeshtë, psikologjinë e përçmimit të vendit të tyre, bëjnë çdo gjë për të penguar rrugën tonë. Me nihilizmin e tyre ata nuk ngurojnë që çdo natë të krahasojnë Shqipërinë tuaj, Shqipërinë e burrave dhe grave të lira, Shqipërinë e djemve dhe vajzave të lira, me skëterrën e etërve të tyre. Ata bënë çdo gjë që tu linin ju pa viza. Në zgjedhjet më të lira e më të ndershme që vendi ka njohur ata bojkotuan parlamentin dhe kjo vetëm e vetëm që ju të mos merrnit viza. Nisën grevën e turpit, të quajtur të urisë, paçka se hanin tërë natën e tërë ditën, vetëm e vetëm që ju të rrinit pa viza. Ndërmorën lëvizjen “hap kutitë të çlirosh vizat” duke menduar këta donkishotë se do të mund të fusnin vizat tuaja në kuti. Në kuti dhe në bunker le të mbeten ata. Ne do të ecim të sigurt drejt të ardhmes që meritojmë.

8 maji po vjen! 8 maji është dita e vlerave tona, është dita e 20 vjetorit tonë, është dita e arritjeve tona, është dita e përpjekjeve tona të mëdha të suksesshme, është dita në të cilën ne vendosim për Korçën dhe për Shqipërinë e katër viteve që vijnë, është dita e fitores sonë të thellë mbi bllokmenët, mbi bllokun, bunkerin e tyre.

Ajo është dita në të cilën shqiptarët do t’i japin vendin e merituar atij që përpiqet të bllokojë rrugën tonë drejt të ardhmes, drejt Evropës.

KOMENTE