Tetovë, 14 janar 2011 NOA/MIA - Kryetari i Bashkimit Demokratik per Integrim, Ali Ahmeti priti sot në zyrat e partisë në takim lamtumirës komandantin dhe përfaqësuesin e lartë ushtarak të NATO-s për Maqedoninë, David Humar, kumtoi shërbimi për informim i partisë.
Bashkëbiseduesit, siç thuhet në kumtesë, vlerësuan rolin dhe angazhimet e përbashkëta për sa i takon reformave dhe përpjekjeve te vazhdueshme në drejtim të integrimit të vendit në strukturat veri-atlantike, duke konstatuar se e ardhmja e vendeve të Ballkanit perëndimor është në NATO dhe BE.
Gjenerali Humar, në emër të tij dhe të Organizatës së Traktatit të Veriut - NATO-s, falënderoi Ahmetin dhe partinë që ai udhëheq për angazhimet dhe involvimin që ka bërë për vendin dhe rajonin në drejtim të reformave, në drejtim të stabilitetit, në drejtim të plotësimit të kritereve për integrim në NATO dhe BE.
Kryetari i BDI-se Ahmeti, falënderoi komandantin Humar për vlerësimet e tij dhe të Organizatës që ai përfaqëson, dhe njëherit siguroi atë se ai dhe Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të ndjek kursin e angazhimeve të skajshme drejt anëtarësimit ne NATO.
"Ne përballemi me vështirësitë që paraqet çështja e kontestit të emrit, të gjithë e kemi vlerësuar se është pengesë e vetme dhe jemi përpjekë të ndihmojmë që ky moment të mos ndikojë në përplasje mes dy komuniteteve më të mëdha - shqiptarëve dhe maqedonasve, por ta kuptojmë si një çështje të përbashkët. Ne jemi të vetëdijshëm se rajoni i Ballkanit perëndimor do ec përpara duke u integruar si i tërë, gjithashtu jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE paraqet një klimë të mirë, një moment të rëndësishëm për mirëqenie ekonomike, sociale, politike. Nuk ka procese të lehta, duhet guxim, vullnet dhe kapacitete politike dhe BDI-ja ka vullnetin, ka guximin dhe ka kapacitetin politik që punët t'i çojë në drejtim të mbarë", tha Ahmeti.
Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e angazhimit edhe të mëtejshëm, duke nënvizuar se Maqedonia ka bërë mjaft, megjithatë trendi i angazhimit duhet të vazhdojë sepse ngelet edhe shumë për të bërë.