Tiranë, 14 janar, NOA – Shqipëria dhe Italia do të shtojnë bashkëpunimin ekonomik. Për nevojën e marrëveshjeve të reja në këtë fushë kanë rënë dakord sot kryeministri Sali Berisha në një takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, senatorin Alfredo Mantica.
Gjatë takimit, kryeministri Sali Berisha vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se niveli i bashkëpunimit është i konkretizuar në një dokument partneriteti strategjik dhe i intensifikuar në nivelet më të larta gjatë vitit 2010. Gjithashtu, Kryeministri theksoi mundësitë e mëdha që Shqipëria ofron për investitorët italianë në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha i shprehu senatorit Mantica falënderime për mbështetjen e jashtëzakonshme që Kryeministri Berluskoni, ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini dhe e gjithë qeveria italiane kanë dhënë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, e cila kulmoi me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
Nga ana e tij, zv/ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Alfredo Mantica e cilësoi si shumë të dobishme vizitën që Kryeministri do të bëjë së shpejti në Milano si një mundësi e mirë për paraqitjen e potencialeve të bashkëpunimit ekonomik që ofron Shqipëria për biznesin italian.
Ai gjithashtu, vlerësoi lart partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Italisë, nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Senatori Mantica e njohu Kryeministrin Berisha me iniciativën për promovimin e një makro - rajoni evropian për Adriatikun, ku përfshihen të gjitha vendet që lagen nga deti Adriatik dhe vende të tjera të rajonit të Ballkanit, vende anëtare dhe jo anëtare të Bashkimit Evropian.
Zëvendësministri Mantica vuri në dukje rëndësinë e këtij instrumenti për një zhvillim të fuqishëm rajonal dhe promovim të interesave të përbashkët të vendeve të rajonit. Më tej, ai theksoi rolin e veçantë që do të kishte Shqipëria në këtë inisiativë.
Kryeministri Berisha e mirëpriti dhe e mbështeti plotësisht këtë iniciativë, si dhe theksoi nevojën që rajoni ka për të zhvilluar nëpërmjet projektesh rajonale në infrastrukturë dhe në fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik dhe më gjerë.
a.k/NOA