Vatikan, 14 Janar 2011 NOA/DW - Papa Gjon Pali II më 1 Maj do të lumturohet. Siç ka bërë të ditur Vatikani, papa Benedikti i XVI do të bëjë lumturimin e paraardhësit të tij në kuadër të një meshe në sheshin e Pjetrit në Romë. Kisha Katolike Romake konfirmoi se ka vendosur të lumturojë Papa Gjon Palin II. Ceremonia do të mbahet më 1 maj, ndërsa dekretin për lumturim e ka miratuar Papa Benedikti XVI. Kremtja pritet të mbledhë qindra-mijëra pelegrinë në Romë, për nder të papës së ndjerë. Lumnimi vlerësohet të jetë një hap vendimtar drejt shenjtërimit. Gjon Pali ka ndërruar jetë në vitin 2005, pas 27 vjetësh në shërbim. Vendimtar për këtë hap ishte mrekullia e shërimit të një murgeshe në një manastir francez. Ajo duket se është shëruar plotësisht nga sëmundja e Parkinsonit, pas lutjeve të drejtpërdrejta Papa Gjon Palit II, pak muaj pas vdekjes së tij. Papa Gjon Pali i II ishte kreu i Vatikanit nga viti 1978 deri në vitin 2005. Papa Gjon Pali II me këtë shpallet i lumturuar po aq shpejt sa edhe Nënë Tereza.