Tiranë, 14 Janar 2011 NOA – Në ditën e dytë të protestës për rrëzimin e Ilir Metës nga posti i Zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, disa qytetarë që kishin dalë të ngrinin zërin kundër korrupsionit të institucionalizuar dhe kapjes së shtetit, u bënë dëshmitarë të një fitoreje të rëndësishme të zërit të qytetarisë ndaj krimit qeveritar. Tubimit iu bashkua edhe botuesi i “TemA”, Mero Baze, i njohur si kritik i fortë i mazhorancës aktuale. “Sot, miliona shqiptarë të tjerë morën mesazhin se vetëm përballë vendosmërisë së reagimit pa kompromis mund të rrëzohen piramidat e regjimeve të korruptuara”, - tha gjatë tubimit. Por, dorëheqja e detyruar e Ilir Metës nuk duhet konsideruar një fitore e mirëfilltë, por vetëm si hapi i parë në këtë betejë të nisur kundër keqqeverisjes, shkeljes së të drejtave të qytetarëve, korrupsionit dhe krimit shtetëror, - vlerësoi Lëvizja Mjaft me një deklaratë pas tubimit që në fakt u krye para se Meta të deklaronte dorëheqjen e parevokueshme/ Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të vendosur drejtësinë dhe diçka e tillë nuk është vetëm detyrë e Prokurorisë, gjyqësorit dhe politikës. Është mbi të gjitha, detyrë e vetë qytetarëve që të garantojnë përmbushjen e synimit të madh për një vend normal dhe që drejtohet sipas standardeve njerëzore, - vlerëson Lëvizja Mjaft, organizatë që nuk dihet qartë se kush e drejton aktualisht. Sipas Mjaft, jemi bërë të gjithë, dëshmitarë të një liste të turpshme fiaskosh, ku aferat korruptive, skandalet e deri masakrat masive, janë ricikluar dhe fajtorët thjesht kanë ndërruar ministri. Ndaj në ditët që do vijnë, të gjithë bashkë duhet të angazhohemi tërësisht për të garantuar që plehrat e politikës shqiptare të mos riciklohen sërish në karriget e pushtetit. e.r/NOA