Tiranë, 14 Janar 2011 – NOA Pas zhvillimit të punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS prej më shumë se 4 orësh u miratua me unanimitet Rezoluta e forumit më të lartë të PSSH. Sekretari Organizativ Blendi Klosi bëri publik pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare qëndrimin e këtij forumi ku përcaktohet veprimi opozitar.
Tani nuk do të ketë më protesta por demonstrata dhe qëllimi i tyre do të jetë vetëm një, rrëzimi i qeverisë për të provokuar zgjedhje të parakohshme.
Sekretari Organizativ Blendi Klosi tha për mediat se Asambleja Kombëtare e PS u mblodh sot për të diskutuar mbi strategjinë në vazhdim të opozitës shqiptare, për raportin e kushtëzuar me parlamentin, forcimin e gjithë strukturës të partisë për t’iu përgjigjur krizës politike në të cilën është futur tashmë vendi prej kohësh.
Po ashtu kjo asamble mbajti edhe një qëndrim përsa i përket raportit të Dick Marty duke kërkuar nga përfaqësuesit e PS në Këshillin e Europës që ta dënojnë me forcë këtë raport.
Më poshtë vijon rezoluta e plotë që kjo asamble miratoi.
1. Asambleja Kombëtare dhe socialistët shqiptarë i bëjnë thirrje qytetarëve pa dallim, studentëve, intelektualëve, medias të pavarur në këtë vend, shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, sipërmarrësve, mësuesve dhe mjekëve, ish ushtarakëve, ish të përndjekurve, ish pronarëve, çdo shqiptari që ndjehet në opozitë me qeverinë, që të jenë sëbashku me ne në demonstratën e fuqishme që do të organizohet ditën e premte në datë 21 janar për të filluar lirimin e Shqipërisë dhe shpëtimin e vendit tonë nga e keqja që i ka zënë fytin e po e mbyt demokracinë, drejtësinë dhe ekonominë e këtij vendi.
2. Asambleja Kombëtare dhe socialistët shqiptarë i kërkojnë grupit parlamentar të PS të thellojë marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin deri në zbardhjen e skemës korruptive për grabitjen e votave të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 28 qershorit duke hetuar deri në fund kutitë e materialeve zgjedhore si edhe në angazhimin e vazhdueshëm në çdo mënyrë e mjet demokratik për largimin e menjëhershëm të Sali Berishës dhe të qeverisë së kusarëve që po grabisin vendin dhe qytetarët shqiptarë. Përcaktojmë si të vetmen rrugëzgjidhje për të dalë nga kriza politike dhe institucionale si edhe për të shpëtuar përfundimisht nga rreziku demokracinë dhe shtetin e shqiptarëve, organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme plotësisht të lira dhe të ndershme, të pacënuara nga korrupsioni Saliut, korrupsioni i parave të pista dhe kthetrat e zyrtarëve dhe ministrave të korruptuar që ai ka në qeveri.
3. I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojë e dënojë pa as një kompromis korrupsionin dhe krimin shtetëror që ka kapur shtetin duke kërcënuar themelet e demokracisë dhe shtetit ligjor, stabilitetin e vendit dhe të ardhmen europiane të shqiptarëve dhe të gjithë Shqipërisë.
4. Asambleja Kombëtare angazhohet të përshkallëzojë protesta së bashku me qytetarët e lirë të këtij vendi për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo kast që po na turpëron përditë të gjithëve me imoralitetin e zgjedhjeve të vjedhura, vota të trafikuara dhe mëshirimin e një llumi në qeverisje i cili nuk është vlerë e këtij kombi. Asambleja kombëtare e PS dhe njëherë i fton të gjithë që në datën 21 janar të fillojnë një valë të madhe protestash duke e filluar nga qyteti i Tiranës.
e.r/NOA