English

Rama: Meta, manovër e detyruar, Kryeministri të dorëhiqet

Tiranë, 14 janar 2011, NOA- Për të dytën herë gjatë ditës së sotme, kreu i partisë më të madhe opozitare, Edi Rama doli para medieve për të reaguar mbi ngjarjet e fundit politike. “Largimi i Metës është një manovër e detyruar në kushtet e presionit politik, social dhe ndërkombëtar që formalizon krizën në të cilën është futur vendi”, deklaroi Rama që në hapje të fjalës së tij. Ai tha se, reagimi i turpshëm i Kryeministrit, shton arsyet për ti kërkuar zgjidhjen e duhur atij, dorëheqjen. Më tej ai tha: “Nuk do të kisha dalë, nëse Berisha nuk do të kishte akuzuar televizionin “Top-Channel” dhe emisionin “Fiks-Fare”, pasi ai kërcënoi drejtorin e këtij programi duke e quajtur çakall, gazetarin e njohur Filip Çakulli”. Duke vazhduar fjalën e tij, Rama theksoi se, “përsëri sot dhe paturpësisht, Saliu vazhdoi avazin fyes për një popull të tërë, atë që shqiptarët e panë me zë dhe me figurë, duke mohuar videon, duke tallur kështu një popull”. Kreu i opozitës u shpreh se, me këtë tallje u vu nën presion Prokuroria, dhe se shprehja e Kryeministrit “Le t’ia lëmë në dorë drejtësisë”, sipas tij, është hipokrite. Më tej ai kujtoi edhe deklaratën e Bankës Botërore, duke thënë se për shkak të krizës gjatë vitit 2009-2010, që sipas tij, opozita ka folur përditë, por që e ka mohuar Kryeministri, u rrit me 4 pikë varfëria, duke çuar kështu në mijëra njerëz të tjerë në kulmin e krizës. Në mbyllje të fjalës së tij ai apeloi sërish, që në 21 janar të gjithë të bashkohen në demonstratë, për të mbrojtur lirinë e shtypit dhe për të mos mbajtur në kurriz peshën e papunësisë, të kërcënimit dhe të mohimit të të drejtave. a.y/NOA

KOMENTE