English

Topi-Krasniqi: Akuzat e Martyt, dashakeqëse

Tiranë, 14 janar 2011, NOA- Presidenti i Republikës Bamir Topi, është takuar sot me presidentin në detyrë të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi. Lidhur me raportin e Dick Martyt, dy liderët kanë ndarë të njëjtin qëndrim, duke e vlerësuar të pabazuar në fakte dhe dashakeqës. “Përsa i përket raportit të Dik Martit shteti shqiptar dhe të gjitha institucionet, kanë reaguar në kohë kanë dhënë qëndrimin e tyre zyrtar përsa i përket atij. Kemi treguar disponibilitet të plotë të të gjitha institucioneve për të qenë të hapur, për të pasur një rihetim. Nuk ka dalë asgjë. Gjithsesi, përderisa ka një Raport të një anëtari të Këshillit të Evropës, duke pasur një respekt maksimal për Këshillin e Evropës ku ne jemi anëtarë, patjetër që do të dëshmojmë edhe një herë që këto fakte, të ashtuquajturat fakte nuk ekzistojnë”, tha Topi gjatë fjalës së tij. Ndërkohë Krasniqi falënderoi shtetin shqiptar për mbështetjen e dhënë në vite, dhe nënvizoi idenë e bashkëpunimeve të mëtejshme. Ai tha se donte të besonte që Raporti i Raporterit të Këshillit të Evropës ka pasur refleksione më të mëdha në opinionin edhe vendor, edhe evropian, se sa në qarqe vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, se sa në institucionet profesionale që kanë përgjegjësi për të hetuar për faktin se, ajo që ka ngritur Dik Marti është hetuar, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është detyruar të tërhiqet, për shkak të mospasjes së fakteve dhe dëshmive që i janë dashur asaj Gjykate. “Se sa ka reflektuar ky Raport në imtësinë e zhvillimit të bisedimeve mes Kosovës, bisedimeve teknike, mes Kosovës e Serbisë, nuk mund të paragjykoj, por mund të them që Kosova është në fazën e përmbylljes së zgjedhjeve të përgjithshme. Presim përgjigjen definitive të institucioneve të pavarura zgjedhore, konstituimin e Kuvendit dhe të institucioneve që dalin nga Kuvendi, dhe në rrethana kur në Kosovë kemi institucione të reja, kur kemi edhe një reflektim ndoshta të institucioneve të caktuara të Evropës, sigurisht që ne, në asnjë fazë nuk kemi qenë kundër bisedimeve, se jemi të bindur që këto bisedime janë për të mirën e dy vendeve tona. Dhe këto bisedime mund të zhvillohen dhe do të zhvillohen, nëse janë në interes të dy vendeve tona, nëse janë në interes edhe të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, në interes edhe të serbëve që jetojnë në Kosovë”, - Krasniqi. Sipas tij, nëse këto bisedime dikush do tentojë t’i orientojë që vetëm një palë t’i fitojë, unë jam i bindur që këto bisedime do të jenë shumë të vështira dhe do të jenë shumë të zgjatura dhe sigurisht që pala kosovare nuk është e gatshme të hyjë në pazare për të humbur shumëçka dhe për të dëmtuar atë që ka arritur gjatë kësaj dekade. a.y/NOA

KOMENTE